(VIDEO) Përplasen Gruevski dhe Mickoski, akuza dhe kundërakuza

(VIDEO) Përplasen Gruevski dhe Mickoski, akuza dhe kundërakuza

Ish kryetari dhe kryetar aktual i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski dhe Hristian Mickoski janë përplasu verbalisht përmes facebook-ut. Ata përmes statusave në këtë rrjet, i kërkuan llogari dhe hodhën kundërsulme ndaj njëri tjetrit. Lideri Mickoski, ka thënë se nuk do të lejoj marrëveshje personale dhe aranzhmane në kurriz të interesit kolektiv, duke i kujtuar bashkëpartiakut të dikurshëm se ky nuk është viti 2018, por është një kohë tjetër.

Hristian Mickoski, lider i VMRO-DPMNE-së

“Nikolla, nuk kam ndërmend të jem pjesë e skenarit të krijimit të përçarjes në favor të kësaj qeverie me korrespondencë publike. Një ditë kur të takohemi ballë për ballë do t’ju tregoj detajet nëse jeni gati t’i dëgjoni. Nuk do të lejoj të harrohet se çfarë po bën kjo qeveri kriminale për të qëndruar gjithnjë e më gjatë, duke krijuar një atmosferë ku humbet shpresa e qytetarëve për drejtësi. Nëse doni përçarje, ky është vendimi juaj dhe unë jam i gatshëm ta kundërshtoj, sepse nuk është betejë personale, por një betejë për Maqedoninë”.

Ndërkaq, paraprakisht i arratisuri Gruevski po përmes facebook-ut, i kërkoi Mickoskit sqarim, për deklaratën që ky i fundit e kishte dhënë për mediumin gjerman FAC.

Nikolla Gruevski, ish kryeministër

“A është e vërtetë se atë e ka thënë në media gjermane? Nëse është e vërtetë, a mund ai personalisht publikisht të tregoj me cilën lëvizje timen, deklaratë, mbishkrim ose çfarë do që unë jam munduar të bëjë për të ndarë partinë dhe të jap argument se unë kam pranuar lojë të pistë me qeverinë të cilën duhet ta realizoj me ndihmën  e lidhjeve të mia në parti”.

Përndryshe,  kryetari i VMRO-DPMNE-së opozitare Hristijan Mickoski për gazetën gjermane “Frankfurter altemajne cajtung”, kishte thënë se Gruevski është në komunikim të fshehtë me qeverinë dhe se për të sjellë ndryshime kushtetuese, Qeveria përgatit marrëveshje të pista.

Edhe kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, në paraqitjen e fundit në media pranoi se ai dhe ish kryetarët e VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, Nikolla Gruevski dhe Zoran Zaev, paraprakisht dhjetëra herë janë takuar fshehtë për t’i diskutuar këto ndryshime.

Emine Ismaili /SHENJA/

MARKETING