(VIDEO) Përgjegjësi e koklavitur për legalizimin e shkollës në Norovë

Përgjegjësinë dhe as zgjidhjen e problemit të shkollës në fshatit Norovë, nuk e merr përsipër asgjë institucion. Ata hedhin fajin njëra tek tjetra. Megjithatë zgjidhje konkrete nuk ofron asnjëra.
Drejtoresha e Shkollës Qendrore “Nikolla Karev” në Krushevë, Olivera Çavkarovska tregon se vitin e kaluar në atë shkollë ka qenë ministri paraprak i Arsimit, por për shkak se fshati nuk është i urbanizuar, nuk mundej që përmes ministrisë të paraqitet projekt për ndërtim shkolle. Ajo thotë se fillimisht duhet të urbanizohet fshati, pastaj të vazhdohet me procedurat e mëtejshme. Më pas, shton se duhet institucionet të konstatojnë nëse objekti i ri i plotëson kushtet për shkollë.
Olivera Çavkarovska, drejtoresha e Shkollës Qendrore “Nikolla Karev”
“Unë mendoj se fillimisht duhet të shkojnë institucionet kompetente, të shikojnë se objekti a i potëson kushtet. Institucionet ta legalizojnë, ose të japin ndonjë miratim”.
Nga komuna e Krushevës thonë se ata nuk janë pro shembjes së objektit. Kryetari i komunës Tome Hristovski thotë se ata kanë bërë kërkesë tek Sekretariati i Qeverisë qysh më 28 shkurt, që ta legalizoj pronën, ose t’i kaloj kompetencat komunës, sepse prona është e shtetit dhe një kërkesë të njejtë do ta bëjnë sërisht.
Tome Hristovski, kryetar i Komunës së Krushevës
“Ne mund të parashtrojmë iniciativë në Qeveri, tek Sekretariati Gjeneral i Qeverisë për formim të një lënde dhe të bëhet legalizim, gjithëçka tjetër do të ishte e kotë dhe e padrejtë. Ne e kemi bërë edhe më herët një kërkesë të këtillë, por presim që kompetencat t’i kalojnë komunës. Kërkesën e kemi bërë më 28 shkurt. Megjithatë tash përshkak të periudhës parazgjedhore të gjithë duan të fitojnë pikë politike dhe kjo nuk duhet të lejohet të ndodh”.
Ndërkaq, Ministria e Arsimit thotë se problematikën e ka kuptuar nga mediat dhe se në Ministri nuk është bërë asnjë kërkesë as nga prindët, as nga komuna dhe as nga shkolla. Megjithatë, thonë se do të angazhohen në këtë drejtim.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës
“Ministria e Arsimit nuk mund të legalizoj objekt. Kjo është kompetencë e komunës dhe institucioneve tjera. Ne nuk mund të veprojmë në një situatë të këtillë. Për shkak se nuk kemi qenë të informuar më herët as nga komuna, as nga prindët dhe as nga drejtori i shkollës se ka ndonjë problem atje. Ne do të zhvillojmë kontakte me komunën tani dhe do të shohim se si do të tejkalohet kjo”.
Prej Ministrisë Arsimit shtojnë se kjo problematikë nuk është kaq e thjeshte sepse në atë objekt duhet të mësojnë fëmijë, prandaj duhet të jetë sipas standardeve.
Për shkak të objektit të vjetër dhe pa kushte elementare dhe përshkak të neglizhencës së institucioneve për të ndërtuar objekt të ri shkollor në fshatin Norovë të Krushevës, këtë gjë e bënë banorët e fshatit me vetëfinancim, por tani objekti kundërshtohet nga institucionet, të cilat thonë se objekti është ilegal.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/