(VIDEO) Për dy ditë arrestohen 42 shoferë
Ndonëse projekti “Safe City” është aktiv në disa qytete të vendit, policia përsëri nuk dorëzohet.
Vetëm gjatë kësaj fundjave së kaluar, policia ka shpituar gjithsej 1.198 gjoba, 42 shoferë të arrestuar dhe 13 automjete të konfiskuara. Si rezultat i kontrolleve të rregullta të trafikut të realizuara nga zyrtarët policorë të të gjithë sektorëve për punë të brendshme në mbarë vendin, nga gjithsej 1.198 urdhërpagesa të shqiptuara, 465 shkelje kanë të bëjnë me shoferë që nuk kanë respektuar shpejtësinë e lejuar të lëvizjes. Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se 42 persona janë privuar nga liria për drejtim të pakujdesshëm të automjetit, prej të cilëve tetë për vozitje nën ndikimin e alkoolit, 20 për drejtim pa patentë shoferi dhe një për shkak të ndalimit të mëparshëm për të drejtuar automjet.
Në të njëjtën periudhë janë konfiskuar 13 automjete, sipas nenit 300-b të Kodit Penal. Sipas të dhënave statistikore nga aktivitetet policore, gjatë fundjavës janë evidentuar edhe 173 shkelje për parkim të parregullt, si dhe 40 sanksione për vozitje nën ndikimin e alkoolit.
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDHSME
“Në përputhje me Ligjin për sigurinë në komunikacionin rrugor, janë sanksionuar 59 drejtues motoçikletash për mosmbajtje të helmetës mbrojtëse, si dhe 31 këmbësorë. Po ashtu, janë sanksionuar 112 pjesëmarrës në komunikacion për mosvendosje të rripit të sigurisë”.
Ata gjithashtu sqarojnë se sipas Ligjit për automjete, 20 automjete janë larguar nga qarkullimi për shkak se ishin të paregjistruara, ndërsa katër për shkak të parregullsive teknike.
Nga MPB theksojnë se kontrollet në trafik do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, ndaj apelojnë te të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të respektojnë rregullat dhe dispozitat e trafikut.
Samir Mustafa /SHENJA/

