(VIDEO) Pensionimi i Avokatit të Popullit, qytetarët mbetën pa mbrojtës juridik institucional

(VIDEO) Pensionimi i Avokatit të Popullit, qytetarët mbetën pa mbrojtës juridik institucional

Insitucioni Avokati i Popullit mbeti pa udhëheqës. Pas konstatimit të pensionimit të Avokatit të Popullit Naser Ziberit nga ana e Kuvendit një ditë më parë, ndërsa mandati i tij duhej të zgjaste deri në vitin 2029, pozita e ombudsmanit mbeti e zbrazët. Kuvendi ka votuar për shpalljen e konkursit për zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit të enjten. Ndërkohë, sipas Ligjit për Avokatin e Popullit, procedura e zgjedhjes së Avokatit të Popullit dhe zëvendësve të tij fillon tre muaj para skadimit të mandatit të tyre.

LIGJI PËR AVOKATIN E POPULLIT

Më së voni tre muaj para skadimit të mandatit të Avokatit të Popullit, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut shpall konkurs. Pas shpalljes së konkursit komisioni kompetent përcakton propozim dhe e dorëzon te Kuvendi.

Më së voni tre muaj para skadimit të mandatit të zëvendësve, Avokati i Popullit shpall konkurs. Pas shpalljes së konkursit, Avokati i Popullit përcakton propozime, me ç’rast në mënyrë përkatëse duhet të përfaqësohen të dyja gjinitë dhe i dorëzon në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë”.

Në po të njejtin ligj parashihet edhe pushimi i mandatit, në rast pensionimi.

LIGJI PËR AVOKATIN E POPULLIT

Funksioni Avokati i Popullit pushon nëse:

1) këtë vetë e kërkon;

2) është zgjedhur apo emëruar në funksion tjetër publik;

3) i përmbush kushtet për pension të pleqërisë;

Por, nuk saktëson se çfarë ndodh më tej në një situatë të tillë, kur Avokati i Popullit pensionohet pa e mbaruar mandatin.

Ziberi u zgjodh Avokat i Popullit në janar të vitit 2021.

Përndryshe, sipas Ligjit për Avokatin e Popullit, Kuvendi me propozim të komisionit kompetent të Kuvendit, e zgjedh dhe shkarkon Avokatin e popullit me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve, gjatë së cilës duhet patjetër të ketë shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve që u takojnë bashkësive që nuk janë shumicë në Republikën e Maqedonisë. Avokati i popullit zgjedhet për kohëzgjatje prej tetë vjetësh me të drejtë edhe për një zgjedhje.

Emine Ismaili Luzha /SHENJA/

MARKETING