(VIDEO) Pendarovski: Shqipëria është miku ynë, iku koha kur Tirana shihej si kërcënim

(VIDEO) Pendarovski: Shqipëria është miku ynë, iku koha kur Tirana shihej si kërcënim

Edhe pas dy ditëve,  takimi i thirrur në Tiranë nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, për të gjithë liderët e partive politike shqiptare të Maqedonisë së Veriut, ende vazhdon të komentohet në vendin tonë nga zyrtarë shtetërorë. I fundit i cili komentoi këtë takim është kryetari i shtetit, Stevo Pendarovski, i cili tha se  nuk sheh asgjë të keqe nga ky  takim, pasi Shqipëria nuk paraqet kërcënim të sigurisë për vendin.

STEVO PENDAROVSKI-KRYETAR I MAQEDONISË SË VERIUT

“Ka kaluar koha kur duhej tí shihnim proceset politike ose ngjarjet, takimet që ndodhin në Tiranë si kërcënim të sigurisë për ne. Mos harroni, Republika e Shqipërisë është anëtare e NATO-s,  Republika e Shqipërisë bashkë me ne nisi bisedimet për anëtarësim në BE,  Republika e Shqipërisë është mik i yni. Nuk kam asnjë dyshim në qëllimet e kryeministrit shqiptar, që e njoh mirë, e njihni edhe ju. Nuk mendoj se atje krijohen skenare anti-maqedonase”.

LSDM që në fillim e ka mbështetur takimin me arsyetimin se Rama është mik i Maqedonisë së Veriut, ndërsa VMRO-DPMNE, vlerëson se takimi në Tiranë ka qenë për të shpëtuar karrierën e Kovaçevskit dhe Ahmetit.

Ali Ahmeti, Arben Taravari, Afrim Gashi dhe Menduh Thaçi ishin pjesëmarrës në këtë takim, ndërsa ftesën e refuzoi kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, me arsyetimin se nuk ulet në një tavolinë me Ali Ahmetin.

Eurointegrimet dhe ndryshimet kushtetuese ishin në qendër të takimit të Ramës me liderët shqiptarë.

Samir Mustafa /SHENJA/

 

MARKETING