(VIDEO) Pendarovski: Gjuha shqipe është zyrtare në RMV
Ish-presidenti i RMV-së, Stevo Pendarovski, ka folur për statusin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut. Ai deklaroi në Tëvë1 se ajo është zyrtare për shkak të përqindjes së shqiptarëve që jetojnë atje. Sipas tij, përdorimi i shqipes është rregulluar përmes ligjit për gjuhët, i cili është ndryshuar disa herë për të përmirësuar të drejtat e komunitetit shqiptar.
STEVO PENDAROVSKI, ISH PRESIDENT I RMV-SË
“Është zyrtare për shkak të 20% të njerëzve që jetojnë në këtë vend. Ndërkohë, ne kemi pranuar dy gjuhë juridike. Është ligji kryesor në anglisht, por është ligji në shqip, në esencë. Ligji i parë mendoj se është në vitin 2008. Dhe i fundit ishte në vitin 2017 e diçka. Pra, ne kemi ndryshuar këtë ligj disa herë duke përmirësuar të drejtat e shqiptarëve. Çfarë ndodhi ndërkohë? Dikush supozohet një qytetar i thjeshtë, i panjohur për publikun ka paraqitur një mocion para Gjykatës Kushtetuese duke thënë se ligji për gjuhë, për gjuhën shqipe nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe ka kërkuar asgjësimin e këtij ligji”.
Gjykata Kushtetuese tashmë ka planifikuar një seancë për këtë çështje dhe siç thotë ish presidenti, do të jetë problem i madh nëse ata do të asgjësojnë këtë ligjin për gjuhët që kinse nuk është në përputhje me Kushtetutën.
Sipas tij, edhe pse ligji garanton të drejtën e përdorimit të shqipes, në praktikë kjo e drejtë nuk zbatohet gjithmonë në nivelin e paraparë. Megjithatë, Pendarovski theksoi se problemi kryesor mbetet zbatimi praktik i ligjit, sidomos në institucione dhe në sistemin gjyqësor.
STEVO PENDAROVSKI, ISH PRESIDENT I RMV-SË
“Shqiptarët mund ta përdorin këtë gjuhë, por në shumë raste nuk e shohim zbatimin e plotë në institucione dhe gjykata. Është e rëndësishme që të pyetet nëse këto të drejta po zbatohen në jetën e përditshme”.
Pendarovski tha se nëse Ligji për Gjuhët mbetet vetëm në letër dhe përdoret për propagandë politike, atëherë nuk u shërben qytetarëve që duhet të përfitojnë nga këto të drejta në praktikë. Sipas tij, ligji ekziston, por nuk po zbatohet në jetën e përditshme.
Ai theksoi se nuk mjafton që partitë politike të krenohen me miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe, nëse të drejtat që ai garanton nuk zbatohen realisht. “Çdo shqiptar që jeton këtu duhet të pyesë nëse këto të drejta po zbatohen në praktikë. Mund t’ju them se nuk zbatohen plotësisht”, deklaroi Pendarovski. /SHENJA/

