(VIDEO) Pas një viti në arrati dorëzohet ish zv/kryeministri Artan Grubi

(VIDEO) Pas një viti në arrati dorëzohet ish zv/kryeministri Artan Grubi

Kishte deklaruar se është i pastër si loti dhe se është larguar nga vendi për vizitë pune. Pas një viti e dy muajsh u vetëdorëzua. Ish zëvendëskryeministri Artan Grubi, i dyshuar për përvetësimin e mbi 8 milionë eurove në “Lotarinë Shtetërore”, herët në mëngjes, u privua nga liria në pikën kufitare “Bllacë” dhe u dërgua në paraburgim në Shutkë. Ndaj tij ishin caktuar 30 ditë paraburgim në mungesë, derisa ai ishte në arrati.

MPB

“Sot (23.02.2026) në orën 06:10 në Pikën e Kalimit Kufitar Bllacë, në hyrje të shtetit, u privua nga liria Artan Grubi (48), i cili kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar lidhur me hetimin e veprës së kryer penale sipas nenit 354, paragrafi 5, në lidhje me nenin 3, në lidhje me nenin 22 të Kodit Penal”.

Artan Grubi para arratisjes ka mbartur postin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Sistemit Politik mes bashkësive nga radhët e BDI-së. Në dhjetor të vitit 2024, Grubi ishte vendosur në Listën e Zezë amerikane për shkak të dyshimeve për përfshirjen në korrupsion të lartë, konkretisht për shkak të marrjes ryshfet në lidhje me proceset gjyqësore të ish shefit të DSK-së Sasho Mijallkov.

Menjëherë pas kësaj ai u tërhoq nga funksionet politike. Njëkohësisht, Prokuroria kishte hapur lëndë për përvetësim të parave në “Lotarinë Shtetërore” në të cilin i dyshuar kryesor ishte Grubi. Pak ditë më vonë, ai u arratis nga vendi, ndërsa kërkohej me fletarrest ndërkombëtar së bashku me ish drejtorin e Lotarisë Shtetërore Përparim Bajramin, për rastin ‘Lotaria’. Atyre u është caktuar masa e paraburgimit për 30 ditë.

Që të dy dyshohen se kanë dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë prej mbi 8.2 milionë euro. Ata ngarkohen për veprën penale “mashtrim në shërbim” sipas nenit 354 të Kodit Penal, që parashikon dënim me të paktën katër vjet burg.

Emine Ismaili /SHENJA/

MARKETING