(VIDEO) Partitë shqiptare vazhdojnë të akuzojnë njëra tjetrën për regjistrimin

(VIDEO) Partitë shqiptare vazhdojnë të akuzojnë njëra tjetrën për regjistrimin

Regjistrimi digjital i paralajmëruar nga Ministri i Transformimit Digjital ka rritur edhe më shumë tonin e akuzave të opozitës ndaj Qeverisë.

MARKETING

Aleanca për Shqiptarët e udhëhequr nga Arben Taravari regjistrimin e paralajmëruar për në vitin 2026, e cilësojnë si nismë të Qeverisë monoetnike për masakër demografike ndaj shqiptarëve. Ata shprehin shqetësim të thellë dhe kundërshtim të vendosur ndaj paralajmërimit të ministrit për Transformim Digjital, Stefan Andonovski, për realizimin e një regjistrimi digjital të popullsisë në vitin 2026 – pesë vite para afatit të rregullt që është caktuar për vitin 2031.

“Ky paralajmërim, në kushtet aktuale politike, nuk është thjesht një veprim teknik, por një hap i rrezikshëm dhe i qëllimshëm, që vjen në funksion të deformimit të përqindjes reale të shqiptarëve. Ne nuk do të lejojmë një masakër demografike! Shqiptarët nuk janë statistikë që manipulohet – janë themel i këtij shteti dhe aktorë vendimtarë të së ardhmes”, thonë nga ASH e Taravarit.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim thonë se paralajmërimet për regjistrim të ri burojnë nga premtimet e kryeministrit kur ai ishte në opozitë dhe kur nuk pranonte regjistrimin sepse sipas integristëve, Mickoskit i pengon përqindja e lartë e shqiptarëve të regjistruar.

Integristët kujtojnë se në kohën kur Mickoski dhe VMRO ishin në opozitë kishin premtuar se sapo të vinin në pushtet, do të organizonin një “regjistrim elektronik” për të “korrigjuar” rezultatet.

“Ky nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një sërë premtimesh nacionaliste të përmbledhura nën sloganin t’iu tregohet vendi shqiptarëve’. Por ajo që është vërtet tronditëse është se mbetjet e VLEN-it brenda kësaj qeverie, përmes avokatisë shokuese, po e legjitimojnë dhe po e verifikojnë këtë politikë të pushtetit”, thonë nga BDI.

BDI-së dhe ASH-së i është kundërpërgjigjur koalicioni VLEN nga ku thonë se nuk ka pasur ndonjë diskutim për regjistrim të ri të popullsisë dhe se regjistrimi do të jetë I rregullt dhe jo vitin e ardhshëm

Thonë se koalicioni VLEN do të kërkojë përgjegjësi penale për të gjithë ata të cilët pa asnjë bazë ligjore, shpikën kategorinë e banorëve “jorezidentë”, duke tejkaluar kompetencat dhe duke përjashtuar me qëllim mërgatën nga të dhënat zyrtare.

“Sqarojmë opinionin publik se nuk është diskutuar për organizim të një procesi të ri të regjistrimit të popullsisë para afatit të rregullt dhe se nuk do të ketë regjistrim tjetër vitin e ardhshëm. Çdo regjistrim i radhës duhet të jetë rezultat i analizave të thelluara dhe me konsensus politik. Regjistrimi i radhës i popullsisë do të korrigjojë mashtrimin e BDI-së dhe LSDM-së”, thonë nga VLEN.

I pari që hapi temën e regjistrimit digjital ishte kryeministri, pastaj dit më parë ministri Adnonovski kishte paralajmëruar se në Qeveri janë formuar edhe grupet e punës dhe se vendi është gati për regjistrim digjital në vitin 2026-të.

Mevludin Imeri /SHENJA/

MARKETING