(VIDEO) Partitë shqiptare përplasen për punësimet në Spitalin e Tetovës

(VIDEO) Partitë shqiptare përplasen për punësimet në Spitalin e Tetovës

Punësimi i punonjësve shëndetësorë në Spitalin Klinik të Tetovës, përplasi pushtetin dhe opozitën. Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon dorëheqjen e menjëhershme të ministrit të Shëndetësisë  Azir Aliu, përshkak të siç thonë mashtrimeve në Spitalin Klinik të Tetovës. Shëndetësia sipas BDI-së, nuk mund të udhëhiqet nga njerëz që mashtrojnë hapur dhe luajnë me fatin e qytetarëve dhe të punonjësve shëndetësorë.

BDI

“Dje kemi dëshmuar një absurditet skandaloz: Azir Aliu e demanton Azir Aliun! Fillimisht njoftoi për punësime, pastaj i mohoi ato, duke dëshmuar se i gjithë procesi ishte një gënjeshtër politike për të fituar pikë elektorale mbi kurrizin e qytetarëve dhe punëtorëve të shëndetësisë”.

Përmes një reagimi, ministri Azir Aliu shkruan se si duket opozitën e ka kapur frika, duke bashkangjitur një dokument të pëlqimeve të punonjësve shëndetësorë nga Ministria e Financave.

Azir Aliu, Ministër i Shëndetësisë

“Kur të tjerët për vite e lanë sistemin shëndetësor pa kuadër, ne sot e rikthejmë dinjitetin dhe funksionalitetin e tij. 1 421 punonjës të rinj, mjekë, infermierë, teknikë, administratë dhe staf ndihmës janë dëshmi se reformat nuk bëhen me fjalë, por me punë konkrete dhe vendime të guximshme”.

Edhe nga koalicioni VLEN i kundërpërgjigjen BDI-së. Thonë se reagimi i BDI-së ndaj ministrit të shëndetësisë, është hipokrizia më e madhe që mund të prodhojë një parti që për mbi dy dekada e ka shkatërruar sistemin shëndetësor, e në veçanti Spitalin e Tetovës.

VLEN

“BDI dhe Taravari le të kujtojnë se qytetarët nuk vuajnë nga amnezia, ata e dinë kush e shkatërroi shëndetësinë dhe kush po e ngre atë nga rrënojat. Ne do ta kurojmë shëndetësinë, por asnjëherë mendjen e prishur të BDI-së dhe Taravarit”.

Ministrin Aliu e ka kritikuar edhe Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit.

Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit

“Ky nuk është thjesht abuzim politik – ky është krim i mirëfilltë elektoral, është korrupsion i pastër dhe përdhunim i dinjitetit të profesionistëve të shëndetësisë”.

VLEN dhe Azir Aliu shtojnë nga ASH kanë kaluar çdo vijë të kuqe. Sipas tyre, kanë futur duart në shëndetësinë publike dhe e kanë kthyer në pronë private për pazaret e tyre elektorale.

Emine Ismaili /SHENJA/

MARKETING