(VIDEO) Partitë shqiptare me të njëjtën melodi, njëra lavdërohet tjetra akuzon

Pas një viti të qeverisjes së re, janë përplasur sërish partitë shqiptare opozitë dhe pozitë, ku ashtu siç është zakon, ata të qeverisë lëvdrohen, e ata të opozitës kritikojnë. Nga koalicioni VLEN, pjesë e qeverisë theksojnë se Plani Operativ për Punësim për vitin 2025 është më i madhi ndonjëherë, me buxhet rekord prej 2.5 miliardë denarësh, që synon siç thonë mbi 16 mijë qytetarë. Jumni Ademi nga VLEN tha se grantet deri në 20 mijë euro për bizneset e reja, trajnimet praktike dhe masat për kategoritë e vështira për punësim janë tashmë realitet.
JUMNI ADEMI, VLEN
“Kemi ndërmarrë masa të forta kundër rritjes së çmimeve, duke kufizuar marzhat për mbi 1.000 produkte. Sot, inflacioni është në rënie, ndërsa ushqimet janë më të përballueshme. Me ligjin për punësim fleksibil, për herë të parë punëtorët sezonalë në bujqësi, hotelieri dhe kujdes familjar kanë të drejtën e sigurimeve dhe pensioneve. Kjo është drejtësi sociale në veprim”.
Një vit qeverisje është kritikuar ashpër nga partitë opozitare shqiptare. Nga BDI akuzojnë se nuk përfillet gjuha shqipe nga kjo qeveri.
BDI
“Një vit ‘rezultate’, por asnjë fjalë në shqip. Asnjë tekst, asnjë titull, asnjë zë, asnjë përfaqësim institucional në shqip në një prezantim që, sipas tyre, duhet të pasqyronte suksesin e një institucioni shtetëror, që vepron në një shtet dygjuhësh dhe multietnik”.
Regime dhe kritika nuk kanë munguar as nga Aleanca për Shqiptarët, krahu i Arben Taravarit. Sipas tyre, nga premtimet e qeverisë për 2.500 punësime për shqiptarët nuk ka mbetur asgjë. Ata thonë se realiteti në qeveri është ndryshe, duke theksuar se kryeministri Hristijan Mickoski po punëson 2.500 maqedonas, ndërsa shqiptarët trajtohen si të padukshëm.
ALEANCA PËR SHQIPTARËT, KRAHU I ARBEN TARAVARIT
“Punësimet e përditshme me parimin diskriminues 20 me 1, 30 me 0, 40 me 1 apo 50 me 0 janë pasqyra e vërtetë e përfaqësimit që kanë sot shqiptarët. Kjo nuk është vetëm dështim – është tradhti ndaj interesit shqiptar. FLEN mban përgjegjësi për këtë mashtrim të madh. Premtoi punësime për shqiptarët, por u bë patericë e një qeverie që margjinalizon, përjashton dhe poshtëron çdo gjë shqiptare”.
Sipas ASH-së, tani është momenti i fundit për t’u tërhequr nga kjo qeveri siç thonë, antishqiptare dhe antiperëndimore, në të kundërtën, ata shtojnë se dënimi i shqiptarëve përmes votës në tetor do të jetë i ashpër dhe fatal.
Samir Mustafa /SHENJA/