(VIDEO) Partitë reagojnë për katastrofën ekologjike, kërkojnë përgjegjësi

Përderisa qytetarët po helmohen nga tymi dhe era e keqe që kundërmon nga zjarri në Trubarevë, partittë politike e shfrytëzuan edhe këtë moment për të akuzuar njëra tjetrën e për të hedhur përgjegjësitë nga vetja tek të tjerët.
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, thotë se nëse deklaratat e kryeministrit Hristijan Mickoski për një sulm të supozuar hibrid ndaj vendit nga qendrat e huaja të pushtetit janë një abuzim i sferës së sigurisë dhe një “Dramë PR” që synon të mbulojë paaftësinë e qeverisë.
Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së
“Nëse do të ishte siç thotë kryeministri, nëse do të ishim vërtet nën sulm ose kërcënim nga disa sulme hibride ose nga disa qendra të huaja pushteti, atëherë së pari, Këshilli i Sigurisë duhej të mblidhej, Ushtria duhej të dilte në terren, Ministri i Mbrojtjes duhej të dilte në terren dhe publikisht, të gjitha shërbimet e sigurisë në vend duhej të aktivizoheshin, NATO si partneri ynë strategjik duhej të njoftohej. Asgjë nga kjo nuk po ndodh”.
VMRO duke ju përgjigjur akuzave të LSDM-së, kërkon nga Venko Filipçe që fillimisht të përgjigjet për spitalet modulare.
VMRO-DPMNE
“Para se të guxojë të flasë për çfarëdo çështje, Venko Filipçe është i detyruar të shpjegojë publikisht: pse ai personalisht e mori përsipër dhe e zbatoi tenderin për spitalin modular, në vend të Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale, e cila duhej ta zbatonte procedurën?
Ndërkohë, BDI-ja opozitare thotë se shpreh shqetësim të thellë për katastrofën ekologjike që goditi kryeqytetin pas shpërthimit të flakëve në Trubarevë. Ata kritikojnë ministrin Mexhiti, për të cilin thonë se është treguar i padukshëm dhe i papërgjegjshëm përballë krizës.
BDI
“Në momentet kur Shkupi u mbulua nga re toksike, me erë plastike, goma e bateri të djegura, qytetarët prisnin informata, rekomandime dhe apel për mbrojtje. Por Mexhiti nuk doli para opinionit, nuk mori masa, nuk ofroi zgjidhje. Për të, më e rëndësishme ishte të shfaqej në aktivitete partiake, sikur asgjë të mos kishte ndodhur”.
E koalicioni VLEN i kujton BDI-së se ka qenë ministri i tyre Naser Nuredini, që ka dhënë lejen për deponinë e Trubarevës. Ata shtojnë se BDI sot po përpiqet t’ua kalojë përgjegjësinë të tjerëve, por thonë se qytetarët e dinë se kjo parti është fajtorja kryesore për katastrofën ekologjike që po përjeton Shkupi dhe e gjithë Maqedonia e Veriut.
VLEN
“BDI menaxhoi ekologjinë në vend për 20 vjet. Gjatë këtyre dy dekadave, ata krijuan një deponi në qendër të Tetovës, një deponi në qendër të Kërçovës, një deponi menjëherë pranë Strugës, si dhe dhjetëra deponi rreth Shkupit. Në vend të zgjidhjeve, ata na lanë me një mjedis toksik. BDI menaxhon gjithashtu ndërmarrjen publike përgjegjëse për mbeturinat në Shkup. Drejtori është kuadër i tyre”.
Pas shpërthimit të zjarrit në Trubarevë, kryeministri Hristijan Mickoski një ditë më parë deklaroi se zjarret që ndodhin në vend janë të organizuara nga qendrat e fuqishme brenda dhe jashtë vendit, për të cilat, siç tha ai, ka informacione nga shërbimet.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/