(VIDEO) Padi për një kryetar komune dhe 5 të punësuarve në urbanizëm
Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë kallëzim penal ndaj një kryetar komune të Shkupit dhe 5 personave të punësuar në komunë. Kryetari dhe pesë të punësuarit në Sektorin e urbanizmit i kanë mundësuar një kompanie përfitim pasuror të kundërligjshëm në shumë prej 147 341 700 denarësh, përkatësisht kanë legalizuar një objekt pa leje edhe pse nuk i ka plotësuar kushtet.
Policia nuk ka bërë me dije se për cilën komunë bëhet fjalë, por vetëm se është komunë e Shkupit.
Ministria e Punëve të Brendshme
“Pas kërkesës së paraqitur për përcaktimin e gjendjes juridike të objektit pa leje nga personi juridik i regjistruar, në vend kanë shkuar pesë punonjësit e komunës, është përgatitur procesverbal për inspektimin e vendit, në të cilin, në kundërshtim me Ligjin për Ndërtimet dhe Ligjin për përcaktimin e gjendjes juridike të objekteve të paligjshme, kanë konstatuar se objektet sportive dhe rekreative – fusha tenisit – i plotësojnë kushtet për legalizimin e tyre edhe pse objektet e këtij lloji janë të përkohshme dhe nuk mund t’i nënshtrohen legalizimit, pas së cilës së bashku me kryetarin kanë nënshkruar pëlqim urbanistik dhe pasi është paguar tatimi për pronën i është dhënë edhe vendimi”.
Në këtë mënyrë siç bëjnë me dije policia, personit juridik i është mundësuar që ti regjistroj objektet pa leje me hapsirë të përgjithshme prej 3 993 metra katror, gjegjësisht t’i mundësohet të ketë përfitim të paligjshëm pasuror në vlerë prej 147 341 700 denarësh.
Emine Ismaili /SHENJA/