(VIDEO) Osmani dhe Mexhiti vazhdojnë “luftën” për Çairin

Kandidatët për kryetar të komunës së Çairit, Bujar Osmani nga Aleanca Kombëtare për Integrim dhe Izet Mexhiti nga VLEN për çdo ditë vazhdojnë me parafushatën zgjedhore.
Osmani e lansoi projektin “Ti flet, Çairi ndryshon: Kutia e problemeve në Çair”, një nismë që synon t’i japë zë të rinjve me ide, propozime dhe vizione për komunën.
BUJAR OSMANI, KANDIDAT PËR ÇAIRIN NGA AKI
“47% e qytetarëve të Çairit janë nën moshën 30 vjeçare. Kjo është një forcë e jashtëzakonshme, një energji që duhet kanalizuar në mënyrë institucionale. Ne nuk duam që rinia të ndihet e lënë pas dore, por të bëhet pjesë aktive e vendimmarrjes në komunë. Propozimi kryesor ishte që komuna e Çairit do të mbulojë shpenzimet për patentë shoferët për të rinjtë më të dalluar”.
Në kuadër të projektit, ai paralajmëroi edhe hapjen e Qendrës Rinore Multifunksionale në Sheshin Skënderbe; krijimin e një fondi për inovacion; si dhe bursa për studentët më të talentuar. Përmes kutisë së problemeve dhe platformës digjitale, të rinjtë do të kenë mundësi të japin idetë e tyre për projekte konkrete që komuna do t’i mbështesë.
Ndërkaq, kandidati i koalicionit VLEN, Izet Mexhiti njoftoi se ka filluar një projekt i rëndësishëm për Çairin e Vjetër, i cili synon përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve të jetesës në këtë lagje.
IZET MEXHITI, KANDIDAT PËR ÇAIRIN NGA VLEN
“Vlera e investimit për rikonstruksionin e rrugëve është 30.367.000 denarë. Paralelisht, do të realizohet edhe rikonstruksioni i ndriçimit publik në të gjitha rrugët e përfshira, me një investim prej 7.264.000 denarë, që do të sigurojë më shumë ndriçim, më shumë siguri dhe kushte më të mira për banorët e lagjes”.
Ky projekt, tha ai, është vetëm një nga shumë investimet që VLEN po realizon dhe do të vazhdojë t’i realizojë në Çair.
Dy kandidatët janë në një garë të tensionuar për komunën e Çairit, ku pothuajse çdo ditë jepen premtime për qytetarët dhe thumbojnë njëri tjetrin me akuza të ndryshme. Zgjedhjet lokale do të mbahen më 19 tetorë, ndërsa zyrtarisht fushata zgjedhore nis më 1 tetor. /SHENJA/