(VIDEO) Osmani: BDI dhe Aleanca për Shqiptarët kanë bashkëpunim korrekt në Qeveri
Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, komentoi deklaratat e fundit të partisë Aleanca për Shqiptarët. Ai u shpreh se me rëndësi është që me ASH-në dhe LSDM-në kanë bashkëpunim profesional dhe se nuk ka vërejtur ndryshim të qëndrimeve te ky partner i koalicionit qeverisës. Ndërkaq, për akuzat konkrete të ASH-së, Osmani zgjodhi të mos i komentojë.
Bujar Osmani, nënkryetar i BDI-së
“Shikoni, në Qeveri nuk kemi asnjë dallim, komunikojmë në mënyrë korrekte, bashkëpunojmë të gjithë ministrat, qoftë nga ASH, qoftë nga BDI apo LSDM, kështu që absolutisht nuk kam vërejtur asnjë dallim në qëndrime apo vërejtje në lidhje me punën e cilitdo partner të koalicionit dhe mendoj se kjo është me rëndësi, tjetrën nuk do ta komentoj. Me rëndësi është që kemi marrëdhënie të mira ndër njerëzore, bashkëpunim të mirë profesional si ministra dhe si partnerë të koalicionit në korniza të Qeverisë. Absolutisht nuk kam vërejtur asnjë dallim në veprim”.
Përndryshe, në një prononcim për media kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka thënë se “BDI është kancer për shoqërinë”. Por, edhe ministri i tyre, Azir Aliu, është shprehur se BDI ka nevojë që të shkojë në opozitë, të të bëhet update.
Ndërkaq, ditë më herët kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, duke folur për zgjedhjet presidenciale dhe kandidatin e përbashkët që do ta ketë opozita shqiptare, u shpreh se edhe Taravari është në një mendim me ato.
Emine Ismaili /SHENJA/