(VIDEO) Opozita shqiptare akuzon për diskriminim – Në 5 ditët e para të gushtit 116 punësime, vetëm njëri është shqiptar

Opozita shqiptare ka reagur ashpër ndaj punsimeve të fundit që janë bërë nga qeveria në disa institucione shtetërore. Bashkimi Demorkatik për Integrim dhe Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit, kësaj here janë treguar më të saktë, duke shpalosur shifra të qarta, ku shihet se numri i të punsuarve të qytetarëve të palës maqedonase është decimal, ndërsa ai i shqiptarevë mbetet binar, që le të kuptohet se barazia në shtet përsëri po sfidohet.
Nga BDI vlersojnë se situata është alarmante, pasi sipas tyre, shqiptarët janë të padëshiruar edhe në armatë, duke thënë se nga 74 të punsuar, vetëm një është shqiptarë.
BASHKIMI DEMOKRATIK PËR INTEGRIM
“Bashkimi Demokratik për Integrim e dënon ashpër përjashtimin e shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera nga procesi i fundit i punësimit në Armatën dhe Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Nga 74 të punësuarit e fundit,71 janë maqedonas, 2 janë nga komuniteti rom, vetëm 1 është shqiptar, asnjë nga komunitetet e tjera”.
Ndërkaq, edhe nga ASH-ja e Taravarit ka ardhur një reagim i prerë, i mbështetur me shifra konkrete. Kalkulatori i tyre shkon edhe më tutje, i cili nuk llogarit vetëm sot, por që nga fillimi i muajit. Sipas tyre, nga 116 punsime në tre institucione, vetëm një është shqiptarë.
ALEANCA PËR SHQIPTARËT
“Në fillim të muajit gusht, realiteti i punësimeve në institucionet shtetërore të Maqedonisë së Veriut e nxjerr zbuluar mashtrimin e madh të propagandës së VLEN-it. Shifrat flasin vetë dhe nuk kanë nevojë për koment. Janë bërë 116 punësime në tre institucione – vetëm 1 është shqiptar, sigurisht ndonjë familjar i krerëve të VLEN-it”.
Aleanca për Shqiptarët e dënon këtë diskriminim dhe paralajmëron se heshtja përballë këtij përjashtimi është bashkëfajësi, ndërsa theksojnë se shqiptarët janë bërë spektatorë të ndarjes së posteve për një pakicë të privilegjuar.
Samir Mustafa /SHENJA/