(VIDEO) Ombudsmani i ri: Rikthimi i besimit është prioritet

(VIDEO) Ombudsmani i ri: Rikthimi i besimit është prioritet

I sapozgjedhuri Avokat i Popullit, Faton Selami, sot dha deklaratën solemne para kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, me rastin e marrjes së detyrës. Selami u zgjodh ombudsman në seancën plenare të së premtes, me 89 vota “për” dhe gjashtë “kundër”. Duke falënderuar për besimin e dhënë, Selami theksoi se angazhimi i tij do të jetë profesional, i paanshëm dhe me përkushtim maksimal ndaj qytetarëve, në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet. Ai nënvizoi se prioritet kryesor i mandatit të tij do të jetë rikthimi i besimit në institucionin e Avokatit të Popullit.

FATON SELAMI, AVOKAT I POPULLIT

Në këtë drejtim do të bashkëpunojmë me të gjithë faktorët relevantë, me Kuvendin dhe Qeverinë, për të siguruar fillimisht përforcimin kadrovik të institucionit. Aktualisht, Avokati i Popullit funksionon me staf të përgjysmuar, ndërsa na pret edhe zgjedhja e tetë zëvendësavokatëve”.

Ai tha se Propozim-ligji për ndryshime të Ligjit për Avokatin e Popullit do të shqyrtohet me shërbimet profesionale dhe, së bashku me Kuvendin, do të procedohet sa më shpejt.

I pyetur nga gazetarët nëse institucioni i Avokatit të Popullit është përballur me mungesë bashkëpunimi nga institucionet e tjera dhe si do të tejkalohet kjo situatë, Selami tha se kjo çështje parashihet të adresohet përmes ndryshimeve ligjore, të cilat do t’i mundësojnë institucionit edhe shqiptimin e kundërvajtjeve.

Faton Selami është jurist i diplomuar dhe magjistër i shkencave juridike, me provim të dhënë gjyqësor dhe noterial. Ai vjen në këtë detyrë në vend të Naser Ziberit, i cili më 12 korrik të vitit të kaluar përfundoi mandatin për shkak të plotësimit të kushteve për pensionim. Mandati i Avokatit të Popullit zgjat tetë vjet, me mundësi për një rizgjedhje. /SHENJA/

 

MARKETING