(VIDEO) Numan Kurtullmush takohet me sektorin civil të RMV-së
Në ditën e dytë të vizitës zyrtare në RMV, delegacioni turk i kryesuar nga Kryetari i Kuvendit të Madh Popullor të Türqisë, Numan Kurtullmush, ka vazhduar me takimet e tij miqësore në vend, ku pas vizitës së realizuar në Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik në Shkup, Kurtulmush realizoi takime vëllazërore me sektorin civil në vend.
Në takimin e realizuar në ambientet e Vilajetit të Kosovës, respektivisht në zyret qendrore të Fondacionit të Civilizimit Islam – FOCIC, kryeparlamentari turk, Prof. Dr. Numan Kurtullmush, u prit në takim nga nikoqiri, miku i tij i kahmotshëm, zv. kryetari i FOCIC-it, Adnan Ismaili. Në takimin vëllazëror, delegacioni i FOCIC-it, në krye me Adnan Ismailin dhe Sulejman Bakin, e njoftuan për së afërmi Kurtullmushin rreth projekteve kulturore dhe arsimore të fondacionit gjatë këtyre viteve. Kryeparlamentarit turk, iu prezantua edhe projekti i madh i FOCIC-it, ku së shpejti pritet të rinovohet dhe të merr formën përfundimtare.
Ndërkohë pas këtij bashkëbisedimi vëllazëror, kryeparlamentari Kurtullmush, për studentët e FOCIC-it, me autograf shpërndau librin e tij “Për Turqinë e së ardhmes”, të botuar në gjuhën shqipe, nga Sh.B. “Logos-A”.
Në fund të takimit, nikoqiri, zv.kryetari i FOCIC, Adnan Ismaili, mikut të tij Kurtullmush, në shenjë të miqësisë shumëvjeçare, si dhuratë i dorëzoi pikturën e vilajetit, ndërkaq Numan Kurtullmush, Fondacionit për Civilizim Islam – FOCIC, në shenjë respekti vëllazëror, për dhuratë ua dorëzoi një kopje të librit “Safahat” të Mehmet Akif Ersojit, ku libri një fjalë, ditë më parë u botua në gjuhën turke dhe shqipe, nga Kuvendi i Madh Popullor i Turqisë.
Në vazhdën e takimeve me sektorin civil, delegacioni turk, pas vizitës që i bëri Çarshisë së Vjetër të Shkupit, kishin rastin që të vizitojnë edhe organizatat joqeveritare turke “Ensar” dhe Sh.K. “Kopru”. Në saje të kësaj vizite vëllazërore, nikoqirët Prof. Dr. Sulejman Baki dhe Husrev Emin, për së afërmi e njoftuan kryeparlamentarin Kurtullmush, rreth veprimtarisë dhe projekteve edukativo-kulturore dhe humanitare, që bashkëveprojnë shoqatat “Ensar” dhe “Kopru” mbi 20 vite në këto troje.
Pas bisedës me bashkombasit e tij të sektorit civil, ku u shkëmbyen mendime për avancimin e projekteve kulturore dhe arsimore në RMV, delegacioni turk i kryesuar nga Numan Kurtullmush, kanë vizituar edhe monumentet historike osmane të Shkupit, siç janë: Xhamia “Mustafa Pasha”, xhamia “Murat Pasha”, “Bezisteni”, dhe “Kurshumli Hani”.
Vizita disa ditore e delegacionit turk të kryesuar nga kryeparlamentari Numan Kurtullmush, ka ngjallur jehonë dhe mikëpritje vëllazërore nga bashkëqytetarët e vendit tonë. /SHENJA/