(VIDEO) Nuk kaluan ndryshimet e Kodit Zgjedhor

(VIDEO) Nuk kaluan ndryshimet e Kodit Zgjedhor

Në seancën e jashtëzakonshme të kuvendit sot nuk u votuan ndryshimet e Kodit Zgjedhor. Kryeparlamentari Afrim Gashi hodhi në votim dy herë propozim ndryshimin e Kodit Zgjedhor ku, në votimin e parë votuan 86 deputetë, 66 ishin pro, ndërkaq 18 kundër, por dështoi në votimin e dytë, pasi që 11 deputetë të pakicës votuan pro, kurse 18 kundër.

SINKRON: AFRIM GASHI, KRYEPARLAMENTAR

“Ata që u takojnë bashkësive që nuk janë shumicë në RMV të prononcohen për pjesën që u referohet zgjedhjeve lokale për propozim ligjin, ju ftoj të votojmë. Konstatoj se kuvendi nuk e miratoi ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e kodit zgjedhor”.

Debati për ndryshimet në kodin zgjedhor shkaktoi përplasje në mes deputetëve të opozitës dhe qeverisë. Në fillim deputeti i BDI-së  Blerim Bexheti tha se propozimi i tyre është që të futet edhe në rend dite çështja e jorezident dhe rezident si vendim i Gjykatës Kushtetuese, por kjo nuk u pranua nga shumica. Debati vazhdoi më tej dhe deputetja e BDI-së Arbana Pasholli në Komisionin për sistem politik ku u shqyrtuan propozim ligji për ndryshimin e Kodit Zgjedhor tha se me këto ndryshime pushteti po tenton ta manipulojë rezultatin zgjedhor

SINKRON: ARBANA PASHOLLI DEPUTETE E BDI-SË

“Ne kërkuam edhe në seancën plenare që kjo pikë të tërhiqet nga rendi i ditës, gjë që nuk ndodhi. Por ne gjithashtu do të vazhdojmë që të shprehim qëndrimin tonë dhe do të votojmë kundër edhe në vazhdim pas përfundimit të këtij komisioni. Çdo ndryshim të njëanshëm të Kodit Zgjedhor, e cilësojmë si përpjekje për manipulim të rezultatit zgjedhor dhe për këtë jemi dëshmitarë se jeni edhe mjeshtër kur vjen puna për interesat tuaja dhe gjithashtu fatkeqësisht edhe për të rrezikuar rendin demokratik në Republikën e Maqedonisë së Veriut”.

Deputetja e VLENIT  Saranda Imeri duke i replikuar Pashollit tha se ndryshimet e Kodit zgjedhor gjatë pushtetit të BDI-së janë miratuar poashtu pa konsultim me opozitën.

SINKRON: SARANDA IMERI, DEPUTETE E VLENIT

“Kur flitet për parimet dhe për shkeljen e rregullave të demokracisë kolege e nderuar, mendoj se BDI është një shembull perfekt për ta, ilustruar këtë. Nëse ju keni harruar në të kaluarën, ne nuk kemi harruar ndryshimet e Kodit Zgjedhor që janë bërë në të kaluarën pa konsensus dhe pa asnjë marrëveshje me opozitën e atëhershme. Unë vetëm mund t’ua përmend disa nga ato fakte. Për shembull, ulët cenzusin për zgjedhjen e presidentit nga pesëdhjetë në katërdhjetë %”.

Pika e vetme e seancës së sotme të kuvendit ishin ndryshimet në Kodin Zgjedhor me procedurë të shkurtuar, të cilat, mes tjerash, do të rregullonin pjesëmarrjen e kandidatëve të pavarur në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

 

MARKETING