(VIDEO) Nuk ka punësim të përhershëm të asistentëve të fëmijëve me zhvillim jotipik

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska ka deklaruar se kërkesa e prindërve të fëmijëve me zhvillim jotipik për punësim të përhershëm të asistentëve arsimor nuk mund të plotësohet, sepse sipas saj nevojat në shkolla janë të ndryshueshme. Ajo në intervistë për Radio Europa e Lirë porositi prindërit të qëndrojnë të qetë, sepse tha se ministria përgjegjëse për qendrat e burimeve që shpallin konkurset për asistentë arsimorë janë duke realizuar mbikëqyrje.
VESNA JANEVSKA, MINISTRE E ARSIMIT DHE SHKENCËS
“Nëse nevojat rriten, ne rrisim numrin e asistentëve. Por fakti është se komisioni i vlerësimit funksional vlerëson se cili fëmijë ka nevojë, dhe kur fëmija ka përparim, komisioni vlerëson se nuk ka më nevojë për një asistent, i cili është qëllimi themelor, si në arsim ashtu edhe në jetë, që një fëmijë me nevoja të veçanta arsimore të jetë i pavarur. Pra, ndonjëherë, Komisioni do të thotë se nuk ka më nevojë për asistentë arsimorë, dhe prindërit ende duan një asistent arsimor, ky është një nga problemet me të cilat përballemi”.
E pyetur se a është e mundur të arrihet një numër optimal asistentësh dhe ata të punësohen përgjithmonë, Janevska thotë se kjo nuk është e mundur sepse nevojat dhe kërkesat e shkollave janë të ndryshueshme.
VESNA JANEVSKA, MINISTRE E ARSIMIT DHE SHKENCËS
“Nuk do të jap si në të kaluarën shpresë të rreme se do ta zgjidhim këtë nesër. Nëse në të ardhmen lind një mundësi që disa prej tyre të punësohen përgjithmonë, do ta pranoj me kënaqësi. Në shkolla të ndryshme numri i nxënësve ndryshon dhe ka rezistencë midis asistentëve, në vende të tjera është ndryshe, njerëzit janë më të lëvizshëm. Njerëzit në vendin tonë janë më pak të lëvizshëm, kur një mësues gjen një punë afër shtëpisë, ai nuk dëshiron të lëvizë, edhe pse ka një nevojë më të madhe diku tjetër”.
Janevska duke folur për rezultatet e dobëta që kanë shfaqur nxënësit e RMV-së në testet PISA, tha se tashmë i kanë gjetur arsyet kryesore për këtë. Si të tilla, ajo përmend qëndrimin joserioz si të nxënësve ashtu edhe të mësuesve ndaj testeve PISA si dhe gabimet në përkthime.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/