(VIDEO) Nuk ka ndryshime në arkëtimin e TVSH-së së dërgesave nga Temu

(VIDEO) Nuk ka ndryshime në arkëtimin e TVSH-së së dërgesave nga Temu

Ministria e Financave gjatë ditës së sotme ka informuar se ndryshimet dhe plotësimet e miratuara në Ligjin e TVSH-së nuk do të ndikojnë në mënyrën se si qytetarët marrin dërgesat e tyre nga jashtë vendit, përfshirë ato të porositura përmes platformës TEMU.

Ata theksuan se dërgesat që qytetarët porosisin nga TEMU deri më tani kanë pasur TVSH të përllogaritur në çmimin e produktit. Kjo praktikë vazhdon edhe pas ndryshimeve në ligj – ku siç thanë ata, TVSH-ja do të mbetet e përllogaritur në çmimin e produktit, si deri tani. Nga ku kjo do të thotë që qytetarët nuk do të paguajnë asgjë shtesë kur marrin dërgesën, as nuk do të kenë detyrim të ri pagese.

Ministria e Financave

TVSH-ja që është përllogaritur tashmë në çmimin ndaj shtetit paguhet nga dërguesi ose operatori postar i autorizuar me të cilin platforma ka marrëveshje. Ministria e Financave thekson edhe një herë se ndryshimet ligjore nuk ndryshojnë metodën e pranimit dhe zhdoganimit të dërgesave. Kuvendi i votoi ndryshimet në Ligjin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, të cilat shfuqizojnë lirimet nga TVSH-ja për dërgesat online me vlerë deri në 22 euro”.

Qëllimi i këtyre ndryshimeve ligjore siç thanë ata, është pëforcimi i ekonomisë vendase, mbështetja e kompanive lokale dhe krijimi i vendeve të reja të punës. Ме këto ndryshime dhe plotësime të Ligjit të TVSH-së, nga ministria sqaruan se bëhet hap i rëndësishëm në mbrojtjen dhe zhvillimin e ekonomisë vendore, veçanërisht në kushtet e globalizimit intensiv dhe rritjes së tregtisë dixhitale, ndërsa do kontribojë edhe në uljen e ekonomisë gri.

Sistemi i mëparshëm lejonte abuzime të mundshme – importimin e mallrave të liruara nga TVSH-ja që më pas shiten në tregun vendas. Ndaj për këtë arsye, zgjidhjet e reja ligjore e parandalojnë këtë praktikë dhe sigurojnë mjedis tregu të drejtë dhe të kontrolluar.

Anida Murati /SHENJA/

 

MARKETING