(VIDEO) N’katrori sjell së bashku inovatorë të rinj në “Seeuhack Skopje 2025”

Nga data 2 deri më 4 maj 2025, kampusi i Universitetit të Evropës Juglindore në Shkup u shndërrua në një qendër të gjallë të inovacionit digjital me organizimin e edicionit të parë të SEEUHack Skopje, një hackathon 48-orësh i inicuar nga komuniteti N’katrori. Ngjarja mblodhi 18 ekipe dhe mbi 50 pjesëmarrës, të rinj nga Shkupi dhe qytete të tjera të Maqedonisë së Veriut, përfshirë jo vetëm studentë universitarë, por edhe të rinj të apasionuar pas teknologjisë, zhvillimit të softuerit dhe zgjidhjeve digjitale.
Qëllimi i hackathon-it ishte të ofrojë një platformë praktike për bashkëpunim dhe zhvillim të shpejtë të ideve teknologjike që adresojnë sfida reale në fusha të ndryshme.
ERVIN SHAQIRI, N’KARTORI
Pjesëmarrësit prezantuan një gamë të gjerë zgjidhjesh kreative – nga aplikacione që përdorin inteligjencën artificiale, deri te zgjidhje që përmirësojnë përvojën e përdoruesve në jetën e përditshme. Në fund të ngjarjes, juria përzgjodhi tre projektet më të spikatura:
The AI Intervieëer – një platformë që simuluar intervista pune përmes AI, duke ndihmuar përdoruesit të përgatiten dhe të vetëvlerësohen më mirë për tregun e punës.
Virtual Try Glasses – një aplikacion që mundëson provimin virtual të syzeve përmes kamerës së pajisjes, duke i ndihmuar përdoruesit të bëjnë zgjedhje më të informuara pa pasur nevojë të jenë fizikisht në dyqan.
Student Money Management App – një aplikacion që mbështet të rinjtë në menaxhimin e financave personale, duke ofruar analiza të shpenzimeve përmes inteligjencës artificiale dhe ndihmuar përdoruesit të kuptojnë më mirë sjelljet e tyre financiare.
SEEUHack 2025 përbën një prej pikave kulmore të aktiviteteve të planifikuara për këtë vit nga N’katrori, një nismë e cila synon të ndërtojë një komunitet aktiv të ndërtuesve lokalë – duke i mbështetur ata me hapësira, mundësi dhe platforma për të eksperimentuar dhe bashkëpunuar.
Ky hackathon është vetëm një pjesë e agjendës më të gjerë të N’katrorit, që përfshin gjithashtu programe si Tech Talks, BrainShare, sezonin e tretë të podcastit N’katrori, dhe iniciativa të tjera që synojnë forcimin e kulturës teknologjike dhe sipërmarrëse në vend. /SHENJA/