(VIDEO) Një pjesë e marketeve me “çmime të garantuara”, qytetarët: Për ne që s’kemi sërish është keq

(VIDEO) Një pjesë e marketeve me “çmime të garantuara”, qytetarët: Për ne që s’kemi sërish është keq

Prej ditës së sotme çmimet e produkteve ushqimore bazë si buka, orizi, vezët dhe shumë produkte të tjera shiten me çmime pak më të ulta. Ekipi i TV SHENJA vizitoi disa supermarkete në qytetin e Shkupit dhe dukshëm vëreheshin ndryshimet në çmimet e atyre produkteve. Çmimet e reja mbajnë edhe etiketën “çmimi i garantuar”.  Qytetarët e intervistuar deklaruan se ka zbritje për produktet e caktuara por sipas tyre të ardhurat e tyre vazhdojnë të jenë të ulta, gjë që ata i kufizon dhe nuk iu ndikon aq shumë edhe kjo ulje çmimesh.

QYTETAR

“Pak më lirë janë disa, po kishte diçka po jo krejt qysh kanë thënë ato, pemë perime nuk ka, duhet me pas por nuk kish”.

QYTETARE

“Ka produkte me çmime të ulëta më shumë në marketet e vogla, ka në përgjithësi çmime më ë ulëta për bukën, vezët, qumështin, por për dike ka rëndësi për dike jo, për të varfërit si puna ime me pensionin tim nuk më luan shumë rol”.

QYTETAR

“Lirime ka në disa produkte ushqimore, nuk vërejta unë shumë produkte por diçka kishte”

Të martën ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi njoftoi se qeveria ka miratuar listën e produkteve ushqimore që do të shiten me çmime të ulta, sipas të cilës  buka e bardhë dhe gjysmë e bardhë 450 gram, orizi i bardhë, mielli i grurit, produktet e qumështit, vezët, brumërat si makaronat dhe shpagetat, mishi dhe produktet e mishit, pemët dhe perimet do të shiten me çmime më të ulëta. Ai sqaroi se të njejtat do të shiten me çmimin që e kanë pasur më 1 gusht dhe me 10% ulje nga ai çmim. Ndërkaq sot ai nëpërmjet një shkrimi në rrejtin social facebook ka njoftuar se çmimet e pijeve joalkoolike dhe alkoolike do të ulen për 10% në periudhën e ardhshme. “Sot pranova disa porosi nga prodhuesit tanë vendor të ujit mineral, lëngjeve, birrës, të cilët bëhen pjesë vullnetarisht në fushatën “ÇMIMI I GARANTUAR” për uljen e çmimeve për të paktën 10%”, tha Bekteshi.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING