(VIDEO) Një javë aktivitete për Nëntorin e krenarisë

(VIDEO) Një javë aktivitete për Nëntorin e krenarisë

Muaji Nëntor, muaj ky i krenarisë kombëtare dhe i patriotizmit për gjithë shqiptarët anekënd botës. Pavarësisht distancës fizike, ose sa të shpërndarë mund të jenë nëpër botë, shqiptarët në këtë muaj i bashkon pikërisht lavdia kombëtare, alfabeti i përbashkët e një flamur i vetëm.

Por,  se sa janë përgatitur institucionet shtetërore në vendin tonë, ose bartësit shqiptarë të funksioneve, për të festuar në mënyrë të dinjitetshme, kemi kërkuar qëndrim nga zëvendës kryeministri i parë Izet Mexhiti, dhe kreu i komunës së Çairit Visar Ganiu.

Zëvendëskryeministri Mexhiti, thotë se kanë përgatitur program të larmishëm dhe dinjitoz dhe se theksi do të jetë sidomos në Ditën e Alfabetit.

Izet Mexhiti, zv/kryeministër

“Në bashkëpunim me komunat, me Institutuin për Trashigimi Kulturore, me institucionet kulturore, me Muzeun e Alfabetit është bërë një program i larmishëm, që në mënyrë dinjitoze, modeste, mirëpo gjithëpërfshirëse për të shënuar festat e Nëntorit. Theksi do jetë mbi Ditën e Alfabetit, që është një vlerë mbarëkombëtare”.

Edhe kryetari Visar Ganiu tha se aktivitetet e tyre do të jenë të shtrira nga data 22 e deri më 28 nëntor.

Visar Ganiu, kryetar i Komunës së Çairit

“Prej datës 22 e deri më 28 do të kemi plot aktivitete, por agjenda dhe orari nuk kanë dalë zyrtarisht për shkak se jemi në koordinim edhe me Qeverinë dhe ne nuk duam shumë që të përputhemi, d.t.th. duam që aktivitetet të mos i përsërisim, por të kemi aktivitete të bollshme dhe aktivitetet janë në kuadër apo ti akseptojnë gjithë qytetarët të cilat do të jenë shumë të mira gjatë muajit nëntor”.

Ganiu gjithashtu bëri me dije se më 27 nëntor do të jenë në Tiranë, me ftesë të kryetarit të Tiranës Erion Veliajt, për të shënuar festën e 28 Nëntorit.

Nëntori është muaji i krenarisë kombëtare për shqiptarët, duke përfshirë tre data të rëndësishme që simbolizojnë pavarësinë, çlirimin dhe kulturën e kombit shqiptar: 28 Nëntori – Dita e Pavarësisë së Shqipërisë, 29 Nëntori – Dita e Çlirimit dhe 22 Nëntori – Dita e Alfabetit. Këto data janë momente historike që kanë vulosur rrugën e shqiptarëve drejt lirisë, unitetit dhe përparimit.

22 Nëntori në Maqedoninë e Veriut është edhe festë shtetërore.

Emine Ismaili /SHENJA/

MARKETING