(VIDEO) Një familjeje 4 anëtarëshe i duhen 1 100 euro për të kaluar dhjetorin
Vlera e shportës minimale sindikale, që llogaritet nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë për dhjetorin e këtij viti, është 65.492 denarë, duke u rritur për 319 denarë krahasuar me shportën minimale të muajit të kaluar, që ishte 65.173 denarë. LSM njoftoi se nëse jetohet në banesë me qira prej 60 metrash katrorë, shporta minimale sindikale për dhjetorin arrin në 80.867 denarë.
Sipas llogaritjeve të LSM, për dhjetor nevojiten: 23.640 denarë për ushqim dhe pije, 7.159 denarë për arsim, 6.130 denarë për qira, ujë, energji elektrike dhe ngrohje, 5.875 denarë për veshje dhe këpucë, 4.636 denarë për transport, 4.131 denarë për restorante dhe hotele, 3.417 denarë për komunikime dhe 2.620 denarë për higjienë personale dhe mirëmbajtje të shtëpisë.
Zv/ministri i Ekonomisë dhe Punës, Marjan Risteski, para pak ditësh njoftoi se nga 1 janari, përveç që sindikatat do të llogarisin shportën minimale të konsumit, edhe qeveria do të bëjë llogaritjen e shportës mesatare të konsumit, që do të jetë për një familje me të paktën katër anëtarë. Kjo temë do të diskutohet në Këshillin Ekonomik–Social, i cili është planifikuar të mblidhet të hënën, më 22 dhjetor.
Ristevski sqaroi se do të merren parametrat nga supermarketet më të mëdha në Maqedoni, parametrat e produkteve bazë ushqimore dhe gjithçka që është e nevojshme për jetën mesatare të një familjeje mesatare maqedonase. Gjithashtu, do të merren të dhëna nga rajone të ndryshme dhe më shpesh frutat dhe perimet do të jenë ato që janë karakteristike për periudhën kur bëhet llogaritja. /SHENJA/

