(VIDEO) Një e treta e qytetarëve duan të largohen nga vendi, kryesisht të moshës 40 – 49 vjeç

(VIDEO) Një e treta e qytetarëve duan të largohen nga vendi, kryesisht të moshës 40 – 49 vjeç

Çdo i treti person në Maqedoni të Veriut mendon të largohet nga vendi, tregon hulumtimi i opinionit publik i realizuar për Detektor nga Instituti për hulumtime politike në Shkup. Sipas hulumtimit 32.3% e të anketuarve deklaruan se po mendonin ose kishin menduar ndonjëherë të largoheshin nga vendi, ndërsa 63.6% nuk ​​kishin menduar për këtë temë.

INSTITUTI PËR HULUMTIME POLITIKE

Është për t’u habitur që më së shumti për emigracionin mendojnë personat nga mosha 40 deri në 49 vjeç, ku 42.5% prej tyre thanë se kishin apo kanë plane për t’u larguar nga vendi. Numra të ngjashmëm prej 42.2% të qytetarëve që mendojnë të largohen janë edhe në grupmoshën 30-39 vjeç, ndërsa ndër më të rinjtë, ata nën 30 vjeç, 37.8% kanë menduar ose po mendojnë të largohen nga vendi”

Krahasimi me anketat e viteve të kaluara, të cilat i ka bërë instituti, nuk tregojnë ndonjë ndryshim të dukshëm në qëndrimet e qytetarëve. Në të gjitha anketat e 5 viteve të fundit, përqindja e qytetarëve që kanë menduar ose po mendojnë të largohen është mbi 30%.

Megjithatë 52,7% e të gjithë qytetarëve të anketuar kanë thënë se në 5 vitet e ardhshme nuk kanë mundësi që të shpërngulen nga vendi, ndërsa 11,5% e të anketuarve janë të sigurt se do të largohen në të njëjtën periudhë.

INSTITUTI PËR HULUMTIME POLITIKE

Qytetarët shpesh vendosin të largohen për shkak të pagave më të larta (17.2%), kushteve më të mira të punës (15.7%), mundësive më të mira që u ofrohen fëmijëve (12.2%) si dhe sistemit më të mirë shëndetësor dhe arsimor që ofrojnë vendet e huaja (11.5% )”

Tek të rinjtë nën 30 vjeç, pagat e pritshme më të larta (21.7%) dhe kushtet më të mira të karrierës (20.6%) janë arsyet kryesore pse ata largohen ose do të largoheshin nga vendi.

Destinacioni më i preferuar për zhvendosje janë vendet e Bashkimit Europian. 42.7% e qytetarëve thanë se nëse vendosin të largohen, do të shpërngulen në një nga shtetet anëtare të Bashkimit Europian.

Dy të tretat e qytetarëve tashmë kanë një të afërm që është shpërngulur jashtë vendit. Krahasimi me anketat e 5 viteve të fundit tregon se numri i qytetarëve që kanë të afërm që janë shpërngulur nga vendi është rritur nga 60% vitin e kaluar në 66.6% këtë vit.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

 

MARKETING