(VIDEO) Nis ndërtimi i parkut përkujtimor për viktimat e tragjedisë në spitalin modular të Tetovës

Në afërsi të vendit ku gjendej spitali modular në Tetovë, nisi ndërtimi i parkut përkujtimor për nder të 14 viktimave që humbën jetën nga tragjedia e zjarrit. Zv/kryeministri Arben Fetai tha se në prag të 4 vjetorit të kësaj tragjedie akoma nuk ka drejtësi për viktimat. Ai u zotua se kjo qeveri do ta sjellë drejtësinë e duhur lidhur me këtë rast.
ARBEN FETAI, ZV/KRYEMINISTËR
“Sot e kësaj dite nuk ka drejtësi për viktimat, për familjet e viktimave të tragjedisë së Tetovës, njëjtë siç nuk ka fatkeqësisht drejtësi edhe për viktimat dhe familjet e tyre në rastet e tjera tragjike siç ishte rasti Llaskarca, rasti I autobusit në Bullgari dhe sikurse familjet e viktimave të këtyre tragjedive të rënda që kanë goditur vendin tonë janë mësuar me këtë padrejtësi. Drejtësia e vonuar është padrejtësi”.
Ministri i shëndetësisë Azir Aliu tha se kjo është përgjegjësia e vonuar që një sistem duhet ta kishte dhënë që në fillim.
AZIR ALIU, MINISTËR I SHËNDETËSISË
“Sot nuk e fillojmë vetëm ndërtimin e një parku, fillojmë ndërtimin e një kujtese kolektive, të vonuar por të domosdoshme. Katër vite më parë në këtë vend ndodhi një tragjedi që nuk guxon të harrohet, megjithatë për 4 vite me rradhë institucionet për fat të keq heshtën, nuk vepruan, zgjodhën të mos shohën dhe kjo heshtje ishte e padrejtë për ata që humbën jetën dhe për ata që çdo ditë kërkojnë drejtësi”.
Ndërsa “Iniciativa Zero” nga Tetova dyshon se ky veprim mund të jetë sfilatë politike parazgjedhore.
INICIATIVA ZERO
“Sfilata publike e sotme, e organizuar përmes një konference për shtyp nga Ministri i Shëndetësisë, zëvendëskryeministri dhe kryetari i komunës së Tetovës, e zhvilluar vetëm dy muaj para zgjedhjeve lokale, ngre shqetësime serioze për intencën e vërtetë politike pas këtij njoftimi. Nëse ky veprim synon të shfrytëzojë një tragjedi për përfitime elektorale, atëherë kjo do të përbënte një akt të papranueshëm dhe thellësisht të padenjë”.
Ata thanë se Iniciativa ZERO do të vazhdojë të ndjekë me vëmendje procesin e realizimit të këtij parku përkujtimor dhe do të kërkojë garanci të plota për përmbajtje, seriozitet dhe respekt të denjë për viktimat, larg çdo kalkulimi politik dhe vetëm në funksion të së vërtetës dhe drejtësisë që ka munguar për më shumë se katër vite.
Me 8 shtator të vitit 2021 në spitalin modular të Tetovës ku trajtoheshin pacientët me Kovid-19 shpërtheu një zjarr i cili mori me vete 14 jetë të pacientëve.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/