(VIDEO) Ngricat krijojnë vështirësi në komunikacion
Dy persona nga Gostivari kanë humbur jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë komunikacioni që ka ndodhur sot në rrugën rajonale Mavrovë–Dibër, kur vetura me të cilën udhëtonin ka rënë në lumin Radika. Ministria e Punëve të Brendshme, njoftoi se aksidenti është raportuar rreth orës 15:50.
Ministria e Punëve të Brendshme
“Automjeti i udhëtarëve i tipit “Volkswagen Bora”, me targa të Gostivarit, ka humbur kontrollin dhe ka përfunduar në lumë. Si pasojë e aksidentit, jetën e kanë humbur A.F. dhe M.F. nga fshati Vidushë i Gostivarit. Me urdhër të prokurorit publik, automjeti do të ndalohet në Stacionin Policor të Gostivarit për kontroll të jashtëzakonshëm teknik, ndërsa trupat e viktimave do të dërgohen për obduksion”.
Ndërkaq, reshjet e borës kanë vështirësuar qarkullimin normal të automjeteve në disa akse rrugore të vendit. Qendra e Menaxhimit të Krizave ka njoftuar se për shkak të ngricave dhe përkeqësimit ndjeshëm të kushteve të motit, është vështirësuar lëvizja në disa akse.
Qendra e Menaxhimit të Krizave
“Si të vështira për t’u kaluar janë listuar rrugët Shkup – Tetovë, Tetovë – Gostivar; Mavrovë – Dibër; Kërçovë – Ohër; Kozjak – Shkup; si dhe disa rrugë rajonale në pjesën perëndimore të vendit. Në numrin e emergjencës 112 janë raportuar disa raste të automjeteve të bllokuara dhe një rrëshqitjeje nga rruga. QMK u bën thirrje qytetarëve të ngasin me kujdes, të ndjekin rekomandimet e shërbimeve kompetente dhe të përdorin pajisje dimërore”.
Po ashtu për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike, temperaturat e ulëta dhe ngricat në rrugë gjatë ditës së sotme është regjistruar edhe një aksident zinxhir në autostradën Tetovë–Gostivar, në afërsi të mbikalimit të Negotinës. Ekipet kompetente ndodhen në vendngjarje dhe po ndërmarrin masa për menaxhimin e situatës dhe normalizimin e qarkullimit rrugor.
Megjithatë, për shkak të mbulesës së borës në rrugë, Lidhja-Auto-Moto e Maqedonisë (LAMM) ka futur përdorimin e detyrueshëm të zinxhirëve të borës për të gjitha automjetet në seksionin Lisec – Kodra e Diellit nga ora 21:00 e 2 janarit 2026. Masa është e detyrueshme për shkak të pjesëve të pjerrëta dhe kthesave të mprehta të qafës, ku mosrespektimi i rregullave shpesh shkakton bllokime dhe vonesa. Kontrollet e policisë do të intensifikohen, veçanërisht për shkak të frekuencës së shtuar të automjeteve gjatë periudhës së festave.
Anida Murati /SHENJA/

