(VIDEO) Nga tragjedia e Koçanit te zgjedhjet lokale: Momente që shënuan vitin 2025
Teksa po i japim lamtumirën vitit 2025 dhe po hyjmë në vitin e ri 2026, ndalemi për të reflektuar mbi gjithçka që ky vit na solli. Viti 2025 ishte një periudhë plot sfida, ndryshime dhe zhvillime të rëndësishme, si në nivel global ashtu edhe në vendin tonë. Në vitin që po lëmë pas, kanë ndodhur zhvillime të shumta edhe në Maqedoninë e Veriut, duke përfshirë skenën politike, shoqërore, si dhe ngjarje tragjike që lanë gjurmë të thella.
Në marsin e vitit 2025, pikërisht atëherë kur pritej ardhja e pranverës, kur rrezet e diellit fillojnë të shfaqen dhe parqet e malet të gjelbërohen, ndodhi ajo që askush nuk e kishte menduar, një nga tragjeditë më të rënda në Koçan, e cila tronditi gjithë vendin.
Më 16 mars 2025, diskoteka ‘PULS’ në Koçan kishte hapur dyert për t’i pritur qytetarët, sepse po atë natë para publikut do të performonte grupi i njohur muzikor DNK, por ajo që duhej të ishte një mbrëmje argëtimi u shndërrua në një tragjedi të rëndë. Diku rreth mesnatës, një zjarr i madh kishte shpërtheur papritur dhe për pak minuta ambienti i diskotekës u shndërrua në kaos. Flakët dhe tymi të cilat janë përhapur me shpejtësi, pa kursyer askënd përpara vetes, bëri që 62 persona të humbin jetën, shumica prej tyre të rinj, ndërsa rreth 200 persona të tjerë u lënduan.
Tragjedia e Koçanit tregoi qartë se jeta e njeriut është më e vlefshme se gjithçka tjetër. Të gjithë, pa dallim feje apo kombi, u solidarizuan me familjet e viktimave dhe shfaqën ndjenja të njëjta dhimbjeje. Por pesë muaj më vonë, duket se ky solidaritet u harrua, pasi në gusht u rikthyen “dhomat e gazit për shqiptarët” pa asnjë arsye , dhe kjo ndodhi në prezencë të kryeministrit dhe disa anëtarëve të tjerë të qeverisë. Teksa zhvillohej një ndeshje basketbolli mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, disa tifozë të etnitetit maqedonas brohoritën fjalë të rënda kundër shqiptarëve, duke thënë shprehje si “Dhoma e Gazit për shqiptarët” dhe “Vdekje për shqiptarët’”. Ajo që e bëri situatën edhe më shqetësuese ishte prezenca e kryeministrit dhe disa ministrave të tjerë në sallë gjatë këtyre incidenteve”.
Viti 2025 u shënua jo vetëm nga tragjeditë dhe incidente, por edhe nga zhvillime të rëndësishme politike. Tetori solli raundin e parë të zgjedhjeve lokale, i cili nxori 43 fitues. Në zgjedhjet e 19 tetorit, partia më e suksesshme ishte VMRO-DPMNE me 33 komuna të fituara që në rrethin e parë. Koalicioni VLEN fitoi 5 komuna, ndërsa LSDM dhe AKI nga 3 secila.
Duke llogaritur të dy raundet zgjedhore, VMRO-DPMNE siguroi fitoren në 54 komuna, përfshirë edhe Qytetin e Shkupit. Koalicioni VLEN arriti ti fitojë 9 komuna, LSDM 6, ndërsa Aleanca Kombëtare për Integrim fitojë në 4 komuna.
Ndërkaq, Komuna e Gostivarit, Qendër Zhupë, Mavrovë-Rostushë dhe Vrapçisht do t’i nënshtrohen përsëri procesit të rivotimit më 11 janar 2026, pasi në rrethin e parë të zgjedhjeve që u mbajt më 19 tetor, nuk u arrit censusi i nevojshëm i daljes së votuesve dhe zgjedhjet u shpallen të pavlefshme.
Këto ishin disa nga ngjarjet kryesore që shënuan vendin gjatë vitit që lëmë pas. Teksa kanë mbetur edhe disa orë ku do ta përcjellim vitit 2025 dhe do ta mirëpresim vitin 2026, urojmë që viti i ri të sjellë lajme të mira për të gjithë qytetarët.
Samir Mustafa /SHENJA/

