(VIDEO) Nesër seanca për votimin e formimit të Qeverisë së Kosovës

(VIDEO) Nesër seanca për votimin e formimit të Qeverisë së Kosovës

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk ka folur për sigurimin e 61 votave të nevojshme për formimin e qeverisë së re, e cila pritet të votohet të dielën. Kurti nuk i është përgjigjur gazetarëve, duke mos dhënë asnjë koment mbi situatën politike dhe procesin e krijimit të shumicës parlamentare.

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet të dielën në ora 10:00 për të votuar Qeverinë e re të Republikës së Kosovës. Nëse Qeveria nuk zgjidhet deri të dielën, Kosova mund të përballet me një krizë të re institucionale.

Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje doli partia e parë me më shumë vota, por jo mjaftueshëm për të formuar e vetme qeverinë. Aktualisht, nuk është e sigurt nëse kjo parti do të arrijë t’i sigurojë votat e nevojshme nga partitë e tjera për të formuar shumicën.

Vetëvendosje më herët ka lënë të hapur mundësinë për koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), por ka përjashtuar bashkëpunimin me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).

Sipas Kushtetutës së Kosovës, nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave, presidentja Vjosa Osmani duhet të emërojë një mandatar të dytë për kryeministër brenda dhjetë ditësh.

I mandatuari i ri do të ketë 15 ditë për t’ia paraqitur Kuvendit përbërjen e Qeverisë dhe programin e punës. Bazuar në vendimet e mëparshme të Gjykatës Kushtetuese, mandatari i dytë mund të jetë edhe nga partia e dytë më e madhe, nëse dëshmon se ka shumicën e nevojshme për të formuar Qeverinë.

Megjithatë, PDK-ja ka deklaruar se nuk do të pranojë mandatin në një situatë të tillë.

Aktualisht, përbërja e Kuvendit është si vijon: Lëvizja Vetëvendosje – 48 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës – 24 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës – 20 deputetë, Koalicioni AAK–Nisma – 8 deputetë. Nga komunitetet, Lista Serbe ka fituar 9 nga 10 ulëset e garantuara për serbët, ndërsa një vend i takon Nenad Rashiqit nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë. Dhjetë vende të tjera janë të rezervuara për komunitetet tjera joshumicë – boshnjakë, turq, goranë, romë, ashkalinj dhe egjiptianë.

Nëse vendoset për zgjedhje të reja, Presidentja e Republikës duhet t’i shpallë ato, pas konsultimeve me partitë politike, brenda 45 ditëve. /SHENJA/

MARKETING