(VIDEO) Nesër në mesditë takohen Kovaçevski dhe Taravari
Nesër do të mbahet takimi ndërmjet kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe kryetarit të partisë opozitare Aleanca për Shqiptarët, Arben Taravari, për hyrjen e mundshme të këtyre të fundit në Qeveri. Kryetari i Aleancës e konfirmoi personalisht takimin dhe tha se ata tashmë kanë përgatitur pesë pikat programore të tyre që do t’i kërkojnë shumicës qeveritare, njëra prej të cilave është luftimi i korrupsionit.
Arben Taravari, kryetar i Aleancës për Shqiptarët
“Kemi përpiluar kërkesat tona të cilat kryesisht janë programore, për kadrovike kemi pasur kërkesa, por kryesisht janë kërkesa programore të cilat do ti shohim prej kryeministrit a janë të pranueshme për ato si shumicë qeveritare”
Kryeministri, Dimitar Kovaçevski tha se nesër në takimin me Taravarin do të bisedojnë për zgjidhjet ligjore dhe programore.
Dimitar Kovaçevski
“Unë dhe zotëri Taravari kemi pasur një takim ku kemi biseduar për statusin e procesit të skriningut, për hapat e ardhshëm që do të merren, neser do të kemi takim me z. Taravarin në të cilin do të flasim sërish për përparimet nga hera e fundit që jemi parë, por do të diskutojmë edhe për bashkëpunim të mundshëm dhe do të bisedojmë për zgjidhje ligjore dhe programore që mund ta zhvillojn kapacitetin e shtetit dhe të Kuvendit”
Arben Taravari gjithashtu theksoi se këtë vit nuk duhet të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare, ndërsa ky qëndrim është i njëjtë edhe nëse ASH-ja hyn në Qeveri. Kjo siç shpjegoi Taravari është edhe kërkesa e faktorëve ndërkombëtarë. Sipas Taravarit, shumicës aktuale duhet t’i jepet shanca për të bërë ndryshimet kushtetuese.
Kryesia e Aleancës për Shqiptarët të premten në një seancë në Tetovë, formoi një ekip të përbërë nga lideri Taravari dhe pesë bashkëpunëtorët e tij më të afërt me detyrë të negociojnë nëse partia e tyre do të bëhet pjesë e qeverisë dhe do të zgjerohet shumica qeveritare.
Linda Ebibi /SHENJA/