(VIDEO) Nënshkruhet marrëveshja 6 miliardë euroshe me Britaninë e Madhe

Në Londër sot është nënshkruar marrëveshja në mes RMV-së dhe Mbretërisë së Bashkuar, marrëveshje për të cilën nga qeveria thanë se është në vlerë prej 6 miliardë eurosh. Kryeministri Hristijan Mickoski tha se këto investime do të destinohen në fushat si ajo e transportit, shëndetësisë, arsimit etj.
MARKETING
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Marrëveshja i vë në dispozicion Maqedonisë 6 miliardë euro, të cilat do të ndahen për projekte në fushat e transportit, shëndetësisë, arsimit, energjisë, teknologjisë, si dhe në fushën e mjedisit. Marrëveshja do të jetë transparente dhe zhvillimore”.
Ndërkohë nga Oda Ekonomike lidhur me këtë marrëveshje kërkuan që biznesi të jetë i pranishëm me të paktën 70 % në projektet dhe investimet e reja për të cilat Maqedonia do të dakordohet me Mbretërinë e Bashkuar në kuadër të partneritetit strategjik.
BRANKO AZESKI, KRYETAR I ODËS EKONOMIKE
“Qëndrimi ynë si biznes është I qartë, ne do të insistojmë që nga çdo marrëveshje që do ta realizojë qeveria me shtete të tjera që të jemi pjesmarës me të paktën 70% në projektet dhe investime dhe aty për ne do të lindin detyra serioze për të cilat do të gjejmë mekanizma se si do ti zgjedhim”.
Edhe zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut Izet Mexhiti ditën e djeshme tha se marrëveshja për partneritet strategjik me Mbretërinë e Bashkuar zgjidh probleme jetike për qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Ai e vlerësoi këtë si një hap të rëndësishëm në thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/