(VIDEO) Në Shkup filloi Forumi Botëror për energji të qëndrueshme
Ka filluar sot në Shkup Forumi i 14-të ndërkombëtarë energjetik në të cilën marrin pjesë afërsisht 500 zyrtarë dhe përfaqësues të 50 vendeve nga e gjithë bota. Në fjalimin hyrës, kryeministri Hristian Mickoski deklaroi se kjo është një mundësi për të dëshmuar se një shtet i vogël si Maqedonia mund të ketë ndikim të madhë në të ardhmen energjetike të sigurt kur ka vizion, vendosmëri dhe lidership. Sipas kryeministrit, sektori energjetik për Qeverinë është shumë i rëndësishëm dhe nuk është vetëm çështje teknike.
HRISTIAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Të krijojmë një shembull rajonal të një ekonomie energjetike të qëndrueshme, të pastër dhe të pavarur. E dimë se kjo kërkon kohë, burime dhe këmbëngulje. Por edhe më shumë kërkon besim në forcat tona. Sepse tranzicioni nuk është vetëm teknologjik. Nga Shkupi dërgojmë mesazhin se energjia e qëndrueshme nuk është zgjedhje politike, por detyrim moral ndaj gjeneratave të ardhshme. Energjia është zemra e ekonomisë dhe nëse ajo zemër rreh rregullisht, i gjithë sistemi jeton”.
Ministrja e Energjetikës në rolin e nikoqirit të këtij eventi të rëndësishëm ndërkombëtarë deklaroi se varësia nga një burim energjetik ose furnizues është rrezik i të kaluarës. Sipas Bozhinovskës, tranzicioni energjetik kërkon vizion dhe plane afatgjate po edhe gadishmëri për investime dhe zgjidhje që nuk sjellin rezultate të shpejta por sjellin të ardhme më të sigurtë për gjeneratat e reja.
SANJA BOZHINOVSKA, MINISTRE E ENERGJETIKËS
“E ardhmja energjetike varet nga vendimet që ne i marrim sot. E rëndësishme është që në këtë forum do të nënshkruhet deklarata Shkupi, dokument që do të mbetet shenjë e vullnetit të përbashkët për të ardhmen energjetike, për energji më të pastër dhe më të sigurtë”.
Ndryshe, forumi ndërkombëtarë që ka filluar sot do të përfundojë të premten, ditë në të cilën ministria e energjetikës do të nënshkruaj deklaratën zyrtare me Kombet e Bashkuara të quajtur Shkupi, deklaratë e cila sipas Ministres Bozhinovska do ta forcojë pozitën tonë në hartën botërore të energjetikës.
Mevludin Imeri /SHENJA/

