(VIDEO) Në Mekë me biçikletë, nisën rrugëtimin dy çiklistë
Qamuran Hirda, 57 vjeçar nga Shkupi dhe 60-vjeçari Adem Aljiq nga Graçanica e Bosnje Hercegovinës, sot në mëngjes janë nisur me biçikleta për në Mekë, për të kryer kushtin e pestë të fesë islame-Haxhin. Hirda, një alpinist dhe çiklist, për agjencinë Anadollu ka thënë se përkundër faktit që për shumë vjet është aktiv në çiklizëm, i është dashur një përgatitje më specifike për këtë udhëtim, si psikike, fizike ashtu edhe financiare. Ai rikujton se më herët kanë ndërmarrë udhëtime të ngjashme me biçikleta nga Ballkani për të nderuar dëshmorët e Çanakkalasë, por thekson se shkuarja në Haxh me biçikletë është një sfidë shumë më e madhe.
QAMURAN HIRDA-UDHTARI PËR NË MEKË ME BIÇIKLET
“Këtë herë do të jetë pak më ndryshe, kjo është sfida ime më e madhja. Do të bëhen afërsisht diku katër mijë kilometra. Rutën e kemi prej Shkupit, nga Bullgaria deri në Turqi (Türkiye). Nëpërmjet Çanakalasë (Çanakkale) kalojmë mandej në Bursa, Konya, deri në fund të Turqisë atje në kufi me Sirinë, në Adana ose Gaziantep. Me biçikletë shijoj natyrën dhe gjithçka si i ka falë Zoti”
Ndonëse, kanë pasur dëshirë që gjithë udhëtimin ta bëjnë me biçikletë, ai shprehet se kjo nuk është e mundur për shkak të luftës në Siri, andaj nga pjesa juglindore e Türqisë do të udhëtojnë me aeroplan deri në Aman të Jordanisë. Prej aty, sërish do të vazhdojnë udhëtimin me biçikletë deri në Mekë. Ai shprehet se nuk do të nxitojë gjatë udhëtimit dhe të njëjtin planifikon ta kryejë për dy muaj, ndonëse mundet edhe më herët. Hirda thotë se do të ndalojë dhe vizitojë qytetet e ndryshme gjatë rrugës, duke u njoftuar me traditat, xhamitë dhe monumentet e qyteteve.
QAMURAN HIRDA, UDHTARI PËR NË MEKË
“Gjatë kësaj, pse jo, ta shijojmë edhe këtë pranverë të bukur që po na vjen, me këtë gjelbërim të mirë, t’i shijojmë edhe malet, liqenet, lumenjtë, e gjithçka që shohim para nesh. Më thonë disa ‘pse nuk shkon me aeroplan, pse ti shkon me biçikletë?’. Është dikush që nuk mund ta kuptojë. I them ‘me biçikletë un shoh gjithçka para vetes, shijoj natyrën dhe gjithçka si i ka falë Zoti. Dua ta shijoj në këtë mënyrë, edhe këtë obligim që e kam fetar, dua ta kryej në këtë mënyrë”.
Ai gjithashtu thotë se nëpërmjet udhëtimit të tij dëshiron të përçojë një mesazh sensibilizues për mjedisin.
QAMURAN HIRDA-UDHTARI PËR NË MEKË ME BIÇIKLET
“Unë këtë rrugëtim e bëj me mijëra kilometra me biçikletë, në fund, për t’u dhënë një mesazh popullatës se ‘mos ecni me vetura, largojuni veturave, por ecni me biçikleta, mos e ndotni ajrin. Familja ime më ka mbështetur dhe kjo është shumë e rëndësishme për mua”.
Jemi duke jetuar në periudhën më të vështirë që nga fillimi i historisë, që kur këmba e njeriut shkeli në tokë, kështu që pa mbaruar jetën dhe periudhën e saj aktive, unë dhe shoku im Qamuran vendosëm të kryejmë obligimin e pestë islam, haxhin. Kështu deklaroi mjeku nga Bosnja dhe Hercegovina Adem Aljiq, duke shtuar se ka pasur gjithashtu mbështetjen e familjes.
ADEM ALJIQ, UDHËTARË PËR NË MEKË
“Familja ime më ka mbështetur dhe kjo është shumë e rëndësishme për mua. Do të doja të them se nuk do të kishte kuptim të filloni këtë projekt dhe të lini dikë në pikëllim, në varfëri dhe nga ky këndvështrim gjithçka është në rregull”.
Udhëtimi për në Haxh pritet të zgjasë 2 muaj, ndërsa udhëtimi me biçikletë zgjatë rreth 4.000 kilometra.
Samir Mustafa /SHENJA/