(VIDEO) “Në Kopshtin Zoologjik u krye masakër”, VMRO pretendon se u parandalua përhapja e sëmundjeve
“Anima Mundi” vlerëson se në Kopshtin Zoologjik është kryer masakër mbi shpezët, lidhur me videon që qarkulloi të shtunën në internet, ku shiheshin disa persona të veshur me skafander duke gjuajtur me armë drejt shpezëve. Shoqata për mbrojtje të kafshëve nuk beson në praninë e virusit, derisa siç thonë, të dilet publikisht me prova serioze. Por, shtojnë se edhe po të ishte e vërtetë për terrorin e ushtruar ndaj shpezëve, nuk ka asnjë justifikim.
“Anima Mundi”
“Ndonëse në Maqedoni nuk është vërejtur asnjë rast i gripit të shpezëve dhe virusi i gripit të shpezëve është pothuajse pa asnjë rrezik për shëndetin e njeriut, vetëm në një ditë në Kopshtin Zoologjik të Shkupit është bërë masakër mbi shpezët. Më konkretisht, ajo që mund të shihet në këto video të tmerrshme, në mënyrë mizore – me pushkë, thyerje të qafës, hedhjen e tyre të gjallë në kosha plehrash – janë likuiduar 24 rosa, 6 pata, 5 pula dhe një korb, të cilat ishin të pranishme në atë lokacion”.
Nën kritika të shumta për Qytetin e Shkupit dhe Kopshtit Zoologjik, reagoi edhe VMRO DPMNE. Sipas tyre, nëse institucionet në Kopshtin Zoologjik nuk do të ishin përfshirë, do të kishte ndodhur një fatkeqësi e përmasave të paprecedentë.
Stefan Kirkov, VMRO-DPMNE
“Kopshti zoologjik i Shkupit u shndërrua në një film horror, ku në më pak se tre vjet pati epidemi dhe aty ngordhën mbi 40 kafshë ekzotike, institucion që ndiqet vetëm me incidente. I bëjmë thirrje Arsovskës që të ndalojë së prodhuari gënjeshtra dhe filma horror, sepse qëllimet e tua janë të qarta nga të gjithë”.
Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinës dje ka njoftuar se janë rritur masat e biosigurisë dhe masat tjera, me synim eliminimin e sëmundjes së gripit të shpezëve dhe parandalimin e përhapjes së saj jashtë kopshtit zoologjik te kafshët dhe te njerëzit. Masat do të jenë në fuqi për 21 ditë duke filluar nga dje, kohë gjatë së cilës Kopshti Zoologjik do të jetë i mbyllur për vizitorët. Emine Ismaili Luzha /SHENJA/