(VIDEO) Ndryshimet klimatike po godasin rëndë bujqësinë
MARKETING
Ndryshimet klimatike po shndërrohen në sfidën më të madhe për bujqit në vitet e fundit, duke goditur drejtpërdrejt prodhimin dhe sigurinë ushqimore. Thatësirat e gjata, reshjet e papritura dhe temperaturat ekstreme krijojnë një realitet të ashpër, ku toka po bëhet gjithnjë e më pak e parashikueshme.
MARKETING
Si pasojë, shumë kultura bujqësore po dështojnë që në fazat e para, duke u dëmtuar apo tharë ende pa arritur të zhvillohen plotësisht.
Inxhinjeri i bujqësisë, Shefket Kadriu thekson se fermerët duhet të përshtaten me kushtet e reja klimatike, duke orientuar mbjelljet drejt kulturave më rezistente dhe duke ndryshuar praktikat tradicionale.
SHEFKET KADRIU, INXHINJER I BUJQËSISË
Do i këshilloja fermerët të zgjedhin produkte të caktuara, ose të zgjedhin fara të cilët janë rezistent ndaj ndryshimeve klimatike, të bëhet menaxhimi efikas i ujitjes, me ujitje moderne, të ruhet edhe uji gjatë temperaturave të thata, të bëhet përmirësimi i tokës duke implementuar edhe procesin e plehrimit apo të vendosen në tokë plehrat organike që edhe rrisin pjellërinë e tokës. Më e rëndësishme është për fermerët që të kenë njëfar mbështetje institucionale të qëndrueshme, jo vetëm në letër.
Kadriu rekomandon që para mbjelljes, fermerët të konsultohen me institucionet gjeoshkencore, të cilat ofrojnë të dhëna të sakta dhe të përditësuara mbi ndryshimet klimatike. Këto informacione, sipas tij, janë thelbësore për të përcaktuar kohën e duhur të mbjelljes dhe përzgjedhjen e kulturave që kanë më shumë gjasa të përballojnë kushtet e reja klimatike.
SHEFKET KADRIU, INXHINJER I BUJQËSISË
Duhet ta vlerësojnë institucionet gjeo-shkencore të cilat japin të dhëna statistikore për afatet e caktuara të mbjelljes ku, dmth, duhet të implementohet produkt i caktuar për ato afate, sipas kushteve klimatike që dmth se ato produkte në afate të caktuara duhet të mbjellen, dy tre ditë ose një afat më heret ose më vonë që janë rrezistent ndaj ndryshimeve klimatike.
Në vendin tonë, vitet e fundit janë shënuar dështime të shumta në prodhimin bujqësor, ku shumë kultura nuk kanë arritur të japin frytet e tyre pikërisht për shkak të ndryshimeve klimatike. Si pasojë, një numër i madh bujqish dhe fermerësh, të cilëve u janë dëmtuar produktet, kanë ngritur zërin përmes ankesave, duke kërkuar mbështetje dhe zgjidhje konkrete për të përballuar këtë situatë gjithnjë e më të vështirë.
Mevludin Imeri /SHENJA/

