(VIDEO) Naser Ziberi: Moszbatimi i Marrëveshjes së Ohrit ishte bërë në tre faza

Njëzet e katër vjet më parë, u nënshkrua marrëveshja e cila do të ishte drita në fund të tunelit për shqiptarët që me vite kërkronin të drejtat e tyre, e që ishte edhe shkaku i konfliktit të armatosur. Marrëveshja e Ohrit e nënshkruar më 13 gusht të vitit 2001, e cila do t’i jepte fund konfiktit të armatosur njësiteve ushtarako-policore dhe UÇK-së, ishte ditë triumfi, por zbatimi i plotë i saj edhe sot pas 24 viteve ende le për të dëshiruar.
Sipas njërit nga përpiluesit e kësaj Marrëveshje Naser Ziberit, moszbatimi i Marrëveshjes së Ohrit ka tre faza. Faza e parë, është mosrealizimi i saj brenda 4 viteve, ashtu siç parashihte vetë marrëveshja. E dyta, cilësia e marrëveshjes, e cila u dëmtua që në procesin e ndryshimeve kushtetuese, me ndryshimin e tekstit të preambulës dhe pastaj ligjeve tjera dhe faza e tretë sipas tij, është ajo me të cilën po ballafaqohemi aktualisht, dëmtimi edhe i asaj që që është arritur. Zanafilla e kësaj duket të jetë pikërisht te mënyra se si u përmbyllën nogociatat.
Naser Ziberi, përpilues i Marrëveshjes së Ohrit
“Negociatat u ndërprenë pa ndonjë marrëveshje të harmonizuar nga të dy palët si rezultat i ngjarjeve të Karpallakut e për pasojë të të cilave pala maqedonase e bojkotoj procesin e vazhdimit të negociatave dhe marrëveshja u nënshkrua ashtu siç ishte deri në atë moment më 9 gusht të vitit 2001 dhe pastaj finalizimi apo ceremonia e nënshkrimit para kamerave u bë më 13 gusht”.
Ziberi kujton kohën e zhvillimit të negociatave, të cilat kishin zgjatur për më shumë se dy muaj, e të cilat thotë se kanë qenë shumë të vështira.
Naser Ziberi, përpilues i Marrëveshjes së Ohrit
“Për çdo kërkesë të shqiptarëve pala maqedonase ka pas mendim ndryshe, respektivisht ka kundërshtu kërkesat e palës shqiptare për gjithë përmbajtjen e Kushtetutës…ndërkombëtarët i kanë dëgjuar argumentet tona dhe mendimin e palës tjetër dhe pastaj kanë dalë me një mendim të tyre se cila do të ishte zgjidhja që do t’i afronte të dy palët”.
Arritja më e madhe e Marrëveshjes së Ohrit sipas Ziberit është eleminimi i procesit të majorizimit në vendimmarrjet në Kuvend, pasi ligjet që tangojnë të drejtat e shqiptarëve, por edhe komuniteteve tjera, nuk mund të sillen pa pëlqimin e shumicës së deputetëve shqiptarë. Ngjajshëm me këtë edhe emërimet e bartësve të rëndësishëm të funksioneve. Ndërsa shton se një nga të metat e marrëveshjes që e njëjta gjë nuk është bërë edhe për vendimet Gjykatës Kushtetuese dhe tek zgjedhja e Qeverisë sepse në këtë mënyrë theksoi se do të eliminohej kjo që sot është shumë aktuale se kush përfaqëson shqiptarët, kush është legjitim e kush jo.
Emine Ismaili /SHENJA/