(VIDEO) Nafta drejt 100 denarëve, qeveria flet për stabilitet, opozita për krizë
MARKETING
Çmimet e derivateve të naftës në Maqedoninë e Veriut po ecin me hapa të shpejtë, madje kanë mbetur edhe ca denarë që çmimet të shndërrohen në numër treshifror. Pothuajse të njëjtin rritëm e ndjekin edhe çmimet e produkteve tjera, ndërsa nga Qeveria theksojnë se çmimet janë stabile, e për opozitën janë katastofale.
MARKETING
Kryetari i LSDM-së opozitare, Venko Filipçe, thotë se qytetarët nuk po shohin përfitime nga ulja e TVSH-së për karburantet dhe derivatet e naftës, pasi pavarësisht kësaj mase, ai tha se çmimet janë rritur. Sipas tij, çmimi i derivateve në naftës, ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në shtrenjtimin e ushqimeve.
VENKO FILIPÇE, KRYETAR I LSDM-SË
“Rritja e çmimeve të energjisë, derivateve dhe naftës do të sjellë rritje të çmimeve fillimisht të produkteve ushqimore, e më pas edhe të të gjitha produkteve të tjera në vend. Nafta ishte 71 denarë, ndërsa tani është 95,5 denarë dhe qytetarët tashmë ankohen se nuk mund të mbushin as shportën bazë, pra nuk mund të përballojnë ushqimin. Janë shtrenjtuar produktet bazë si vezët, mishi, produktet e qumështit, frutat dhe perimet, dhe dihet se kur këto produkte rriten një herë, çmimet rrallë kthehen pas. Nga masa e Qeverisë për uljen e TVSH-së nga 18% në 10% nuk po përfitojnë as kompanitë”.
Megjithatë, për ministren e Energjetikës, Sanja Bozhinovska, çmimet e karburanteve mbeten stabile. Ajo tha se masat e ndërmarra nga Qeveria, në kombinim me hapa konkretë nga operatorët ekonomikë, po japin rezultate – çmimet e karburanteve janë stabilizuar dhe presioni i çmimeve është zbutur ndjeshëm, duke shtuar se është duke u siguruar ulje shtesë për dizelin.
SANJA BOZHINOVSKA, MINISTRE E ENERGJETIKËS
“Në këtë drejtim, kompania OKTA e vazhdon iniciativën për ulje të çmimeve të karburanteve edhe pas afatit fillestar që ishte paraparë deri në fund të marsit. Masa do të zgjasë deri më 6 prill. Si pjesë e këtij vendimi, ulja për dizelin rritet nga 2 në 3 denarë për litër, duke siguruar mbështetje shtesë për konsumatorët dhe duke kontribuar në stabilizimin e tregut”.
Të njëjtën e vërtetoi edhe kryeministri Hristijan Mickoski, i cili vazhdoi të mburret se çmimet e derivatave të naftës në Maqedoninë e Veriut janë më të ulëta në Evropë.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINSITËR
“Kështu që nga sot kemi 3 denarë ulje në të gjitha pikat e karburantit që janë partnere të OKTA-s. Nga çmimet maksimale të përcaktuara dje nga Komisioni Rregullator për Energjetikë, kemi ulje prej 3 denarësh, gjë që do të thotë se aktualisht kemi çmimet më të ulëta të karburanteve në Evropë”.
I pyetur nëse po shqyrtohet mundësia e kufizimit të blerjes së karburanteve, për shkak të paralajmërimeve nga vendet e rajonit dhe faktit që qytetarë nga shtetet fqinje po furnizohen në vend, Mickoski tha se aktualisht ka sasi të mjaftueshme për nevojat e qytetarëve, ndërsa tha se konsumi është rritur në disa zona kufitare – me Shqipërinë, Kosovën, Serbinë dhe Greqinë për rreth 10%.
Samir Mustafa /SHENJA/

