(VIDEO) Murtezani takoi homologun e tij finlandez! Strand: Inkurajojmë RMV-në t’i realizojë ndryshimet kushtetuese

“E inkurajojmë Maqedoninë e Veriut që të vazhdoj të realizoj reformat e nevojshme sidomos në fushën e luftës kundër korrupsionit dhe sundimin e ligjit”. Kjo ishte porosia e ministrit për Çështje Evropiane të Finlandës Joakim Strand, gjatë qëndrimit të tij zyrtar sot në Shkup. Ai gjithashtu u shpreh se e inkurajon vendin që t’i realizoj ndryshimet kushtetuese dhe shpreson që RMV së shpejti do të mund të hap klasterin e parë. Pas takimit me ministrin Orhan Murtezani, u shpreh se me punën e tij, nuk shqetësohet se Maqedonia e Veriut do të ngec në rrugën evropiane, por mendon se mund t’i afrohet Shqipërsië dhe Malit të Zi.
Joakim Strand, ministër për Çështje Evropiane të Finlandës
“E di që Mali i Zi dhe Shqipëria po lëvizin shpejtë dhe janë një shembull i mirë për gjithë Ballkanin Perëndimor, por këtë e shoh vetëm si një moment pozitiv. Nëse vazhdoni të punoni me ambicien që e keni dhe rezultatet që i jep ministri Murtezani, nuk shqetësohem se do të ngecni, madje mendoj se do të përshpejtoni dhe do ju afroheni këtyre dy vendeve”.
Lidhur me deklaratën e kryeministrit se pas vitit të ri do të bëhen përpjekje për anëtarsim në BE, ministri për Çështje Evropiane Orhan Murtezani, theksoi se aktualisht nuk mund të flas shumë përshkak se vendi ndodhet në periudhë zgjedhjesh, por bëri me dije se kanë vendosmëri për të ecur këtë proces përpara.
Orhan Murtezani, ministër për Çështje Evropiane
“Përshkak se momentalisht jemi në kohë fushate zgjedhore gjithëçka që e themi mund të marrë kontekst të caktuar dhe ta dëmtoj procesin. Ajo që është me rëndësi është që tek kryeministri, te Qeveria ekziston vendosmëri serioze dhe interesim që pas zgjedhjeve të bëhen hapa konkret për tejkalimin e këtij problemi”.
Krahas porosive që dha ministri Joakim Strand kërkoi falje që e sollën motin e Finlandës në Shkup.
Emine Ismaili /SHENJA/