(VIDEO) Mungon ilaçi për hemofilinë, ministria do ta shpallë tenderin nesër
Pacientët me hemofili tash e disa muaj përballen me vonesa të ilaçit Faktor 8, që është shumë i rëndësishëm për trajtimin e kësaj sëmundje të rrallë të gjakut. Ndërsa për këtë problematikë ka alarmuar sot edhe deputetja e partisë Levica, Jovana Mojsoska gjatë seancës parlamentare për pyetje të deputetëve të opozitës. Ajo ka akuzuar për lëshime serioze në procedurat e furnizimit të këtij ilaçi, i cili është i një rëndësie kyçe për personat me hemofili A, ndërkaq për shkak të ndërprerjes së kontratës me furnizuesit, është kufizuar doza që u jepet pacientëve.
Ajo ka pyetur ministrin e Shëndetësisë se, “kujt do t’i takojë përgjegjësia nëse gjendja shëndetësore e këtyre pacientëve përkeqësohet, sepse janë të detyruar të qëndrojnë shtrirë në shtrat për shkak të, siç u shpreh ajo, “skemave të tenderëve të drejtorëve tuaj”?
Jovana Mojsoska, deputete e partisë Levica
“Këto restriksione i lidhin pacientët pas shtratit dhe seriozisht e rrezikojnë gjendjen e tyre shëndetësore. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për një pacient, shëndeti i të cilit është seriozisht i rrezikuar për shkak të papërgjegjshmërisë dhe pakujdesisë së personave përgjegjës në institucionet. Besoj se do të pajtoheni me mua se, edhe nëse bëhet fjalë vetëm për një jetë dhe një pacient, shteti është i detyruar të sigurojë një jetë dinjitoze, e jo një jetë të lidhur pas shtratit për shkak të procedurave burokratike apo ndoshta negociatave për komisione nga tenderët”.
Ndërkaq, zëvendëskryeministri i Shëndetësisë Jovica Andovski iu përgjigj Mojsoskës duke thënë se, sot apo më së voni nesër, do të shpallet tenderi për furnizimin me ilaçin “Faktor 8”. Ai tha se nuk ka skemash tenderuese, por çështja është shumë e thjeshtë.
Jovica Andovski, zëvendësministër i Shëndetësisë
“Bëhet fjalë për një furnizues që e ka fituar tenderin dhe është obliguar të dorëzojë një sasi të caktuar. Këtë sasi, brenda afatit të vlefshmërisë së kontratës, nuk ka arritur ta dorëzojë dhe për këtë arsye kontrata është ndërprerë. Së pari, ndërkohë shërbimet profesionale dhe ekspertët – profesorët – konstatuan se ekziston një ilaç zëvendësues dhe ne e kemi siguruar atë dhe ua ofrojmë pacientëve. Së dyti, ndërkohë është rënë dakord për një donacion të të njëjtit ilaç, i cili pritet të arrijë deri në fund të kësaj jave “.
Sipas Mojsoskës, një pacient me hemofili A, për të funksionuar normalisht duhet të marrë 30.000 njësi të Faktor 8 çdo muaj. Por, që nga maji i vitit të kaluar, për shkak të ndërprerjes së tenderit, janë vendosur restriksione për këtë ilaç, kështu që pacienti në vend të 30.000 njësive të nevojshme merr vetëm 5.000 njësi në muaj.
Teuta Buçi /SHENJA/

