(VIDEO) Mungesa e pastërtisë në Shkup, nga akuadukti i mbytur me mbeturina nis fushata e pastrimit

Mbi njëzet mijë vullnetarë i janë bashkangjitur aksionit ekologjik “Fundjava e pastrimit gjeneral”, në kuadër të së cilit, gjatë tre ditëve në vijim do të bëhet mbledhja e mbeturinave në më shumë se 500 lokacione në të gjitha komunat në vend. Aksioni filloi sot nga Akuadukti në Shkup, një nga monumentet më të rëndësishme historike në vend, i cili edhe pse në vitin 2021 u shpall monument me rëndësi të veçantë dhe mori nivelin më të lartë të mbrojtjes, është i mbushur me mbeturina dhe nuk mirëmbahet. Atë e pastruan sot mbi 250 vullnetarë, të cilët porositën se, ruajtja e ambientit dhe natyrës është përgjegjësi kolektive dhe tani është koha që të mobilizohen të gjithë qytetarët për përmirësimin e cilësisë së ambientit jetësor.
MARKETING
Evelina Çanska, vullnetare
“Unë jam nga Polonia. Tashmë gjashtë vite jetoj në Maqedoni. Që dy vite jam e kyçur në aksionin pastrim gjeneral për fundjajvë. Dua t’i mobilizojë të gjithë në Maqedoni që t’i bashkangjiten aksionit, sepse tani është momenti”.
Stefan Nikollovski, vullnetar
“Natyra është shumë e rëndësishme dhe ruajtja e saj është detyrë dhe obligim i yni dhe mendoj se, çdo hapi i vogël, çdo aksion i vogël nga ana jonë çon drejt diçkaje të madhe dhe ndryshimi fillon nga ne”.
Ministri i Ekologjisë, Izet Mexhiti tha se, ministria po punon aktivisht në krijimin e një sistemi të menaxhimit të integruar dhe të qëndrueshëm të mbeturinave.
Izet Mexhiti, Ministër i Ekologjisë
“Mjedisi dhe veçanërisht monumentet e këtilla si akuadukti meritojnë respekt dhe kujdes. Veprime të tilla në të cilat të gjithë së bashku tregojmë iniciativë, vullnet dhe gatishmëri për bashkëpunim duhet të jenë pjesë e jetës sonë së përditshme”.
Me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe UNICEF-it, këtë vit për herë të parë, ky aksion ekologjik u përfshihet edhe në projektin edukativ “ora ekologjike”.
Vesna Janevska, Ministre e Arsimit dhe Shkencës
“Të rinjtë janë e ardhmja e vendit dhe ne duhet t’i inkurajojmë ata që në moshë të re të jenë të përgjegjshëm ndaj mjedisit, në mënyrë që, të zvogëlojmë sfidat dhe rreziqet e mundshme me të cilat do të përballeshin në të ardhmen, ndërsa të cilat janë ajri i ndotur, toka e ndotur, uji etj., të cilët ndikojnë në shëndetin e njeriut”.
Në hapjen e këtij askioni, morën pjesë edhe presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, kryetari i BNJVL-së dhe kryetari i Komunës së Kisella Vodës, Orce Gjorgievski, ambasadori austriak Martin Pamer, kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, përfaqësues nga Drejtoria për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore dhe përfaqësues të ambasadave në Maqedoni.
Në katër vitet e fundit, gjatë aksionit ekologjik “Fundjava e pastrimit gjeneral” janë mbledhur 1 milion kilogramë mbeturina, deri më tani kanë marrë pjesë mbi 44,000 vullnetarë, janë pastruar më shumë se 1,000 vende dhe janë mbjellë 125,000 pemë.
Teuta Buçi /SHENJA/