(VIDEO) Mucunski: BE dhe Ballkani Perëndimor kanë nevojë për njëri -tjetrin

Ministri i Punëve të Jashtme dhe i Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski ka porositur sot nga Forumi i Bledit se, në një botë luftërash, kërcënimesh sigurie dhe tronditjesh ekonomike, Bashkimi Evropian dhe Ballkani Perëndimor kanë nevojë për njëri-tjetrin më shumë se kurrë më parë. Në fjalimin e tij të mbajtur gjatë mëngjesit e punës me Ministrat e Punëve të Jashtme të Ballkanit Perëndimor dhe të dërguarit special për zgjerimin e Bashkimit Evropian (BE), Mucunski theksoi rolin kyç të stabilitetit rajonal dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE, duke vlerësuar se krizat aktuale globale rrisin më tej nevojën për kohezion evropian.
Timço Mucunski, Ministri i Punëve të Jashtme dhe i Tregtisë së Jashtme
“Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar në rrugën evropiane dhe po punon aktivisht për reformat dhe zbatimin e Planit të Rritjes së BE-së. Procesi i zgjerimit duhet të bazohet në meritë dhe kritere të qarta. Zgjerimi nuk duhet të mbahet peng i mosmarrëveshjeve dypalëshe ose çështjeve të identitetit. Nëse kjo lejohet, rrezikojmë jo vetëm ngecjen e një vendi, por edhe të humbasim besueshmërinë e të gjithë procesit”.
Ai po ashtu, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe përshëndeti rolin e të dërguarve specialë të BE-së, duke vlerësuar se angazhimi i tyre është thelbësor për ruajtjen e vëmendjes ndaj rajonit dhe inkurajimin e zgjidhjeve praktike.
Timço Mucunski, Ministri i Punëve të Jashtme dhe i Tregtisë së Jashtme
“Ne besojmë në dialog, ne besojmë në kompromis kur është i drejtë dhe i ndërsjellë, dhe mbi të gjitha, ne besojmë në vizionin e një Evrope të bashkuar, të qëndrueshme dhe të begattë me Ballkanin Perëndimor në thelbin e saj”.
Kujtojmë se, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa dje gjatë fjalimit të tij në kuadër të këtij forumi, tha se zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor është investimi më i mirë dhe momenti aktual duhet shfrytëzuar. Ai po ashtu tha se të gjithë udhëheqësit e BE duhet të bëjnë detyrën e tyre për këtë proces, ndërsa vendet e Ballkanit duhet të përshtaten me mendësinë e tejkalimit të konflikteve historike.
Teuta Buçi /SHENJA/