(VIDEO) Muamer Seferi emërohet drejtor i ndërmarrjes “Parqe dhe Gjelbërime”
Ka filluar të zbatohet edhe në praktikë marrëveshja para zgjedhore mes VLEN-it dhe kreut të ri të Qytetit të Shkupit, Orce Gjeorgjievski, për emërimin e drejtorëve shqiptarë në disa nga ndërmarrjet publike të Qytetit. Kësisoj, ushtrues detyre drejtor i Ndërmarrjes Publike Komunale “Parqe dhe Gjelbërime” është emëruar Muamer Seferi nga koalicioni shqiptar VLEN.
Për këtë kanë njoftuar nga Ndërmarrja Publike përmes një postimi të shpërndarë në rrjetet sociale, përmes të cilit i kanë uruar realizim të sukseshëm të ideve dhe projekteve të reja Seferit.
NP PARQE DHE GJELBËRIME
“Muamer Seferi është emëruar në pozitën ushtrues detyre drejtor i NP “Parqe dhe Gjelbërime” – Shkup. Drejtorit të ri i urojmë sukses në punë dhe realizim të suksesshëm të ideve dhe projekteve të reja për përmirësimin e cilësisë së mjedisit jetësor në qytetin tonë, në interes të të gjithë qytetarëve”.
Me njoftim pas marrjes së pozitës ka dalë edhe vet Seferi i cili në rrjetet sociale ka thënë se kjo detyrë përfaqëson një besim të madh dhe një obligim serioz për të punuar me përkushtim në shërbim të qytetarëve dhe interesit publik. Mes tjerash, ai ka falënderuar edhe krerët e VLEN.
MUAMER SEFERI – U.D. DREJTOR I NP PARQE DHE GJELBËRIME
“Jam i bindur se, me punë të ndershme, menaxhim efikas dhe bashkëpunim institucional, do të arrijmë rezultate konkrete në përmirësimin e hapësirave të gjelbra dhe shërbimeve publike, në interes të qytetarëve. Në mënyrë të veçantë, shpreh mirënjohjen time të sinqertë për kryetarin e Lëvizjes BESA, Bilall Kasami , si dhe për krerët e koalicionit VLEN, për besimin e dhënë”.
Përpos, Ndërmarrjes Publike Komunale “Parqe dhe Gjelbërime”, drejtor shqiptar sipas marrëveshjes dy palëshe pritet të ketë edhe në Ndërmarrjen Publike “Higjiena Komunale”, pozitë të cilën pritet ta merr LD-ja, parti pjesë e koalicionit VLEN.
Mevludin Imeri /SHENJA/

