(VIDEO) MPJ: Edhe 9 qytetarë të tjerë janë larguar nga Izraeli
Ministria e Punëve të Јashtme ka njoftuar se edhe 9 qytetarë të tjerë janë larguar nga Izraeli, përmes rrugëve të ndryshme të transportit, përkatësisht: katër me aeroplan për në Athinë, tre për në Jordani dhe dy për në Beograd. Numri i përgjithshëm për tre ditët e fundit është rritur në 40 qytetarë të vendit tonë, të cilët janë larguar nga Izraeli. Nga MPJ thonë se 20 shtetas të regjistruar nga rajonet kufitare, që konsideroheshin të rrezikshëm për sigurinë, janë transferuar mëngjesin e sotëm në një vend të sigurt në Tel Aviv, nga ku do të punohet për largimin e tyre nga Izraeli.
MINISTRIA E PUNËVE TË JASHTME
“Fatkeqësisht, disa nga fluturimet për të cilat tashmë ishin siguruar vende për largimin e disa shtetasve tanë nga Izraeli gjatë ditës së djeshme janë anuluar, kështu që aktivitetet për përfshirjen e tyre në disa prej fluturimeve të sotme vazhdojnë edhe sot. Ambasada e Maqedonisë së Veriut në Tel Aviv është në komunikim të vazhdueshëm me të gjithë qytetarët tanë në Izrael dhe në koordinim me shtabin e krizës në Ministrinë e Punëve të Jashtme”.
Sipas vlerësimeve të shtabit të krizës, deri në 200 qytetarë tanë janë duke qëndruar në territorin e Izraelit, shumica e të cilëve janë lokalizuar me saktësi dhe mbahet komunikim i rregullt me ta, deri në kthimin e tyre në Maqedoninë e Veriut. Nga MPJ thonë se numri i saktë i qytetarëve tanë që kanë aplikuar për ndihmë dhe largimin e tyre nga Izraeli po ndryshon vazhdimisht, por aktualisht nuk e kalon numrin 100.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/