(VIDEO) MPHJ: Grimcat PM10 në Trubarëve brenda kufijve të lejuara

Nën kontroll janë ende zjarret pranë fshatit Trubarevë dhe deponisë Drislla, njoftojnë nga Qendra e Menaxhimit të Krizave. Sipas QMK-së, në territorin e vendit në 24 orët e fundit ka pasur gjithsej 25 zjarre në hapësirë të hapur nga të cilat tre janë aktive, ndërsa dy janë nën kontroll. Aktive janë zjarret në fshatin Viniçe në komunën e Gazi Babës, në fshatin Petrovo në malin Kozhuf dhe fshatin Vrazhallë të komunës së Zelenikovës.
Ndërkaq, nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor informojnë se në periudhën prej 17 shtator deri më 18 shtator, janë kryer matje indikative të grimcave të ngurta të pezulluara me madhësi deri në 10 mikrometra (PM₁₀), në pikën matëse në zonën e Trubarevës. Ata sqarojnë se në Trubarevë nuk ka tejkalim të vlerave kufitare të grimcave PM₁₀.
MINISTRIA E MJEDISIT JETËSOR DHE PLANIFIKIMIT HAPËSINOR
“Sipas rezultateve të marra, koncentrimet mesatare të grimcave PM₁₀ janë brenda kufijve të lejuar dhe nuk është evidentuar tejkalim i vlerave kufitare. Koncentrimet lëvizin brenda vlerës kufitare 24-orëshe për mbrojtjen e shëndetit të njerëzve, në përputhje me Urdhëresën për vlera kufitare për substanca ndotëse në ajrin ambiental”.
Kujtojmë se një zjarr i madh shpërtheu në Trubarevë më 13 shtator në objektin e firmës “F-Grupacioni” e cila merret me mbeturina elektronike, ku janë përfshirë edhe dy objekte në të cilët ka pasur sasi e madhe e mbeturinave plastike. Nuk ka të lënduar në zjarr, por për shkak të tymit ka pasur 13 intervenime nga Ndihma e Shpejtë.
Samir Mustafa /SHENJA/