(VIDEO) MPB po heton priftin dhe policët që “bekuan” automjetet e policisë

(VIDEO) MPB po heton priftin dhe policët që “bekuan” automjetet e policisë

Publikimi i fotografive ku disa policë të komunikacionit, së bashku me një prift, shfaqen duke bekuar automjete dhe objekte zyrtare policore brenda rrethit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka nxitur reagime të ashpra.

Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se Departamenti për Kontroll të Brendshëm po ndërmerr masa për përcaktimin e plotë të rrethanave që lidhen me fotografitë në të cilat shihet një rit fetar mbi automjete zyrtare policore. Zëvendësministri i brendshëm, Astrit Iseni e ka cilësuar këtë veprim si shkelje të drejtpërdrejtë të parimit të shtetit laik dhe të ligjit dhe ka paralajmëruar përgjegjësi për të gjithë ata që e kanë bërë dhe lejuar këtë veprim.

ASTRIT ISENI, ZËVENDËSMINISTËR I BRENDSHËM

Policia është në shërbim të të gjithë qytetarëve dhe nuk mund të veprojë me standarde të dyfishta. Përgjegjësi do të mbajnë të gjithë ata që e kanë organizuar ose lejuar këtë veprim, ata që nuk e kanë penguar, si dhe personat që kanë mundësuar hyrjen e personit fetar në objektet e MPB-së”.

Iseni thotë se veprimi është kryer nga disa pjesëtarë të një njësie të policisë së komunikacionit, në bashkëpunim me një person fetar, dhe nuk pasqyron qëndrimin zyrtar apo veprimin institucional të Ministrisë.

ASTRIT ISENI, ZËVENDËSMINISTËR I BRENDSHËM

Spërkatja me ujë të shenjtë mbi automjete dhe objekte zyrtare nuk mund të konsiderohet akt privat fetar, por përbën përzierje të papranueshme të fesë me institucionet shtetërore.

Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në nenin 19, garanton ndarjen e bashkësive fetare nga shteti, ndërsa Ligji për Policinë kërkon neutralitet të plotë dhe të pakushtëzuar.

Sipas fotografive të publikuara, automjetet që spërkaten nga prifti janë pjesë e 120 automjeteve të reja zyrtare të MPB-së, të promovuara më 26 dhjetor, në një ngjarje ku morën pjesë edhe ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, dhe kryeministri Hristijan Mickoski. /SHENJA/

MARKETING