(VIDEO) MPB arrestoi 11 persona për “fajde” dhe “pastrim parash”

Një aksion i gjerë nga Sektori për Luftimin e Krimit të Organizuar i MPB-së ka rezultuar me arrestimin e 11 personave në Shkup. Aksioni është zhvilluar pas urdhrave të siguruar nga Gjykata Themelore Penale e Shkupit, ku të dyshuarit akuzohen për veprat penale “Fajde” dhe “Pastrim parash dhe të ardhura të tjera nga vepra penale”.
Kundër tetë personave të arrestuar ekziston dyshim se si ndihmës kanë kryer të dy veprat penale. Ndërsa, për personat me inicialet M.K. (73), P.K. (41) dhe G.S. (46) dyshohen për “Pastrim parash dhe të ardhura të tjera nga vepra penale”.
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME
“Nga fillimi i vitit 2022 deri më sot, nëntë prej të dyshuarve janë organizuar në një grup kriminal që merrej me dhënien e parave me marrëveshje, duke kërkuar përfitim pasuror joproporcional në para, mjete ose pasuri të paluajtshme. Duke shfrytëzuar gjendjen financiare të viktimave, ata u huazonin para me norma interesi nga 5% deri në 15% në muaj, me rritje për çdo vonesë në pagesë. Nga të dëmtuarit kërkonin që të kthenin shumën e huazuar me interesin e llogaritur ose të paguanin çdo muaj vetëm interesin. Kur ata nuk kishin mundësi të kthenin huanë, të dyshuarit kërkonin që viktimat t’u dorëzonin ose t’u vinin peng pasurinë që zotëronin, duke e kaluar në emër të ndonjërit prej të dyshuarve’’.
Sic thekson MPB pagesat janë bërë drejtpërdrejt përmes ndonjërit prej të dyshuarve ose përmes llogarive bankare.
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME
Mjetet financiare që të dëmtuarit i kishin kthyer në shumë të pabarabartë, janë depozituar në llogaritë bankare të të dyshuarve ose në kasaforta. Më pas, përfitimet e tyre të pajustifikuara pasurore janë futur me mënyra të ndryshme në qarkullimin financiar ligjor”.
Një pjesë e këtyre parave, që të dyshuarit i kanë marrë, janë përdorur për të krijuar përshtypjen se fondet janë fituar ligjërisht.
/SHENJA/