(VIDEO) Mirçevski akuzohet për ryshfet prej 5 milionë denarëve

(VIDEO) Mirçevski akuzohet për ryshfet prej 5 milionë denarëve

Drejtoria e Policisë Financiare ka ngritur akuzë penale në prokurorinë themelore publike kundër Pece Mirçevskit, ish-drejtor i Shërbimit për Çështje të Përgjithshme dhe të Përbashkëta të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, për veprat penale “Marrje e ryshfetit”, “Falsifikim i dokumentit zyrtar”, “Përvetësim në shërbim” dhe “Punë nga pakujdesia në shërbim” dhe ndaj një personi fizik në cilësinë e pronarit dhe menaxherit të personit juridik nga Shkupi për veprën penale “Dhënie ryshfeti”, njoftojnë nga policia financiare, duke shtuar se në dy raste e kanë dëmtuar buxhetin e shtetit me mbi 5 milionë denarë.

POLICIA FINANCIARE

I denoncuari i parë, P.M në cilësinë e zyrtarit drejtor i Shërbimit për Çështje të Përgjithshme dhe të Përbashkëta të Qeverisë së RMV-së, në periudhën prej datës 09.06.2021 deri më 13.06.2024, me vetëdije dhe me dashje, ka kryer veprimet zyrtare që nuk i është lejuar t’i kryejë dhe ka nënshkruar pesë kontrata për prokurim publik me një person juridik nga Shkupi, në pronësi dhe i menaxhuar nga ana e të denoncuarit të dytë G.P, ndërsa, me këtë rast, nuk ka raportuar për ekzistimin e konfliktit të interesit dhe ka realizuar përfitim të drejtpërdrejtë material”.

Edhe nga prokuroria themelore publike sot njoftuan se së bashku me Drejtorinë e Policisë Financiare kanë kryer bastisje në disa lokacione në Shkup për sigurimin e provave në rastet e marrjes dhe dhënies së ryshfetit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Mëngjesin e sotëm në hapësirat e MPB-së u kryen bastisje, për të cilat edhe nga MPB konfirmuan se është zhvilluar aksion policor lidhur me punën e Departamentit për Çështje të Përgjithshme dhe të Përbashkëta në këtë institucion.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING