(VIDEO) Ministria e Bujqësisë demanton LSDM-në: KE nuk i ka suspenduar Fondet IPARD III
Nënkryetarja e LSDM-së, Jovana Trençevska, ka deklaruar se prej dhjetë ditësh pushteti hesht për skandalin në Agjencinë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural. Partia opozitare thekson se Evropa dërgon një mesazh të qartë se korrupsioni i DPMNE-së nuk tolerohet dhe se duhet të ketë përgjegjësi, Sipas LSDM-së, në rrezik janë 130 milionë euro nga fondet IPARD 3 për fermerët.
JOVANA TRENCEVSKA, NENKRYETARJA E LSDM-së
“Drejtori i Agjencisë, Ilija Stoiljev, është bashkëpunëtor i afërt i Igor Miçevit, i njohur si ‘Pankeri’, i cili është në lidhje kumbarie me kryeministrin Hristijan Mickoski. Ndërkohë, bashkëshortja e tij është e punësuar në Agjenci, në një pozitë përgjegjëse për pagesën e mjeteve nga IPARD-i. Kjo do të thotë se edhe Tripunovski edhe Mickoski duhet të mbajnë përgjegjësi për këtë krim dhe për dëmin që do ta pësojnë fermerët’’.
Trençevska tha se kur LSDM e zbuloi këtë skemë korruptive, Mickoski dhe VMRO-DPMNE u përpoqën ta zhvendosin vëmendjen nga skandali, sipas saj duke vënë në funksion një fabrikë gënjeshtrash, duke e akuzuar kryetarin Filipçe, ish-kryeministrin Zaev, i cili prej 5 vitesh është në pension politik, Nikollovskin dhe persona të tjerë që nuk kanë asnjë lidhje me këtë rast.
“Për DPMNE-në qytetarët nuk janë të rëndësishëm, por tenderët milionësh të kurdisur,161 tenderë në vlerë prej 5.3 milionë euro, 9 milionë euro për një kompani me vetëm dy të punësuar, ky është prioriteti i DPMNE-së’’- deklaroi Trençevska. Nënkryetarja njoftoi se kërkojnë një hetim të shpejtë, të thelluar dhe plotësisht transparent, dhe se për këtë arsye e kanë ftuar kryeprokuroren evropiane, Laura Kovesi, të vijë në Maqedoni.
Nga ana tjetër, Ministria e Bujqësisë, ka deklaruar se opozita, përmes komunikatave dhe deklaratave të saj, po përpiqet të manipulojë opinionin publik.
MINISTRIA E BUJQËSISË
‘’Theksojmë se Maqedonia mbetet e përkushtuar ndaj shfrytëzimit të fondeve, gjë që dëshmohet edhe nga fakti se aktualisht, në nivel rajonal, në zbatimin e programit IPARD III kemi një shkallë shfrytëzimi prej 7,3%, që është rezultat i mirë në rajon, menjëherë pas Turqisë. Asnjë fermer nuk do të rrezikohet sa i përket shfrytëzimit të mjeteve nga programi IPARD III’’.
Ministria e Bujqësisë gjithashtu theksoi se Republika e Maqedonisë është partner i përkushtuar në zbatimin dhe realizimin e Programit IPARD dhe se për këtë arsye ato u bëjnë thirrje përfaqësuesve të opozitës që të përmbahen nga komentet e pabazuara dhe dezinformatat, në interes të mbrojtjes së reputacionit të shtetit përpara institucioneve ndërkombëtare.
/SHENJA/

