(VIDEO) Ministri i Jashtëm letër deputetëve për ndryshimet kushtetuese: Të premten ju vendosni për të ardhmen
Ministri i punëve të jashtme Bujar Osmani në prag të fillimit të diskutimit për ndryshimet kushtetuese u ka dërguar një letër të hapur deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, ku kërkon që të votohen ndryshimet kushtetuese dhe vendi të ecë përpara drejt Bashkimit Europian.
BUJAR OSMANI, MINISTËR I JASHTËM
“Të premten, Ju do të vendosni për të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut, përcaktim ky për të cilin jemi duke punuar dhe kanë punuar të gjitha Qeveritë në 30 vitet e fundit. Nga Ju varet nëse me pranimin e ndryshimit të Kushtetutës do t’i vazhdojmë bisedimet për kapitujt e anëtarësimit në Union apo do të ngecim në negociata për një afat më të gjatë, deri në një mundësi të re, pa asnjë garanci suksesi”.
Ai shkruan se në procesin e negociatave kishin për qëllim ruajtjen dhe forcimin e gjuhës maqedonase dhe identitetit nacional maqedonas.
BUJAR OSMANI, MINISTËR I JASHTËM
“Me plot përgjegjësi them se ia dolëm. Gjuha maqedonase është pranuar dhe votuar për herë të parë në Këshillin e BE-së mes shteteve anëtare dhe është pa mëdyshje pjesë e gjuhëve evropiane. Askush nuk mund ta mohojë këtë fakt”.
Osmani thekson se me këtë ndryshim të Kushtetutës, vetëm do ta përforcojmë pozitën tonë ndërkombëtare dhe do ta rrisim mbështetjen ndërkombëtare për qëllimet tona. Ai thekson se ky ndryshim na jep mundësi që Republikës së Bullgarisë dhe botës t’u dëshmojmë se ata nuk janë të diskriminuar.
/SHENJA/