(VIDEO) Ministri i Jashtëm bullgar: Ambasadori do të kthehet në Shkup kur të krijohen kushtet

(VIDEO) Ministri i Jashtëm bullgar: Ambasadori do të kthehet në Shkup kur të krijohen kushtet

Ambasadori bullgar në Maqedoninë e Veriut, Angell Angellov, mund të kthehet në Shkup, në momentin kur do të krijohen kushte adekuate, ka deklaruar sot ministri për Punë të Jashtme të Bullgarisë, Nikollaj Millkov. Ai shtoi se Bullgaria do të kërkojë me një notë diplomatike që tu sigurojë qasje bullgarëve që udhëtojnë në Maqedoninë e Veriut për ditëlindjen e Goce Dellçevit më 4 shkurt.

NIKOLLAJ MILLKOV, MINISTËR BULLGAR I PUNËVE TË JASHTME

“Nëse fillon dialogu në nivel të lartë, në të cilin duhet të merr pjesë edhe ai, ambasadori mund të kthehet në çdo moment. Nëse Maqedonia vlerëson se thirrja e ambasadorit Angel Angelov është jopropocionale, ndoshta nuk e kuptojnë seriozitetin e situatës”.

Zëvendësdrejtoresha e Këshillit Evropian për Politikë të Jashtme dhe drejtoreshë e zyrës së kësaj organizate në Sofje, Vesella Çerneva sa I përket tërheqjes së ambasadorit bullgar nga Shkupi tha se është një veprim i pamatur. Ajo në mediumin bullgar TV1 deklaroi se kjo që po ndodh me të dy vendet është një zinxhir provokimesh.

VESELLA ÇERNEVA, ZËVENDËSDREJTORESHA E KËSHILLIT EVROPIAN PËR POLITIKË TË JASHTME

“Ajo që po ndodh ndërmjet Shkupit dhe Sofjes  dhe anasjelltas është një zinxhir provokimesh që kanë vazhduar për një periudhë më të gjatë, herë pas here shpërthejnë, pastaj zbehen dhe varet shumë nga ciklet politike në të dy vendet. Kur afrohen zgjedhjet në Bullgari, ai cikël zakonisht ringjallet. Sipas meje, tërheqja e ambasadorit bullgar nga Shkupi është një gjest i paarsyeshëm”.

Ish-shefja e diplomacisë bullgare dhe nënkryetarja e partisë GERB, Ekaterina Zaharieva tha se do të ishte gabim i madh që të ndalet sërish rruga evropiane e Maqedonisë së Veriut. Është e nevojshme të insistohet në zbatimin e kornizës negociuese tha ajo për “BTV-në bullgare.

EKATERINA ZAHARIEVA ISH-SHEFJA E DIPLOMACISË BULLGARE

“Kjo e përshkallëzon situatën në Maqedoninë e Veriut në një farë mënyre, e cila edhe një herë thotë se ky propozim është vendimi i duhur. Autoritetet atje duhet të përpiqen të qetësojnë tensionin, jo ta përshkallëzojnë atë. Derisa ta pranojnë problemin dhe të fillojnë të punojnë, nuk do ta zgjidhin atë”.

Ndërkaq pas ftohjes së marrëdhënieve mes Shkupit dhe Sofjes pas incidentit në Ohër, deklaratave të eurodeputetit bullgar Angell Xhambaski dhe tërheqjes së ambasadorit bullgar nga vendi, BE-ja apelon që të qetësohen tensionet dhe të dy qeveritë të vazhdojnë komunikimin me qetësi dhe me zbatimin e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë.

Medina Ajeti /SHENJA/

 

MARKETING